TV LIVE
Nga Bota
26 January 2026
Zelensky: Marrëveshja e SHBA-së për garancitë e sigurisë, 100% gati

Pas bisedimeve midis përfaqësuesve nga Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia – që synon t’i japë fund luftës shumëvjeçare në Ukrainë, presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi marrëveshjen e SHBA-së për ofrimin e garancive të sigurisë për Kievin si 100% të gatshme, sipas DW.

“Për ne, garancitë e sigurisë janë para së gjithash garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dokumenti është 100% gati dhe ne po presim që partnerët tanë të konfirmojnë datën dhe vendin kur do ta nënshkruajmë atë”, u tha udhëheqësi ukrainas dje gazetarëve gjatë një vizite në Vilnius, kryeqytetin lituanez.

“Dokumenti do të dërgohet më pas për ratifikim në Kongresin e SHBA-së dhe parlamentin ukrainas”, tha ai.

Zelenskyy gjithashtu bëri thirrje që Ukrainës t’i jepej e drejta për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027. Ai e përshkroi atë si një “garanci sigurie ekonomike”.

Me heret Zelensky tha se bisedimet në Abu Dhabi kishin rezultuar ‘produktive’

Të premten dhe të shtunën, negociatorët nga Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja mbajtën takimin e tyre të parë tripalësh në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, për të diskutuar kuadrin e Uashingtonit për t’i dhënë fund pushtimit të plotë pothuajse 4-vjeçar të Rusisë.

Takimi përfshinte jo vetëm diplomatë, por edhe përfaqësues ushtarakë nga të tre palët.

Nga bisedimet nuk u arrit asnjë marrëveshje paqeje, por Zelensky tha se ato ishin “produktive”.

Negociatorët do të kthehen në Abu Dhabi më 1 shkurt për raundin tjetër të bisedimeve.

Zelensky theksoi se ende ka dallime themelore midis qëndrimeve të Ukrainës dhe Rusisë, veçanërisht për çështjet territoriale.

“Qëndrimi ynë në lidhje me territorin tonë – integritetin territorial të Ukrainës – duhet të respektohet”, tha ai.

Ai vuri në dukje këmbënguljen e Kremlinit për tërheqjen e trupave ukrainase nga disa zona në Ukrainën lindore që Rusia pretendon se i ka aneksuar, por forcat e saj ende nuk kanë qenë në gjendje t’i kapin.

“Amerikanët po përpiqen të gjejnë një kompromis”, tha Zelensky, duke shtuar se të gjitha palët duhej të ishin të gatshme për kompromis.



Të ndryshme
Më shumë