Një stuhi e fuqishme dimërore ka goditur SHBA-në, duke shkaktuar të paktën shtatë viktima dhe duke lënë pa energji elektrike qindra mijëra familje, raportojnë mediat ndërkombëtare, përfshirë BBC.
Si pasojë e kushteve ekstreme të motit, janë mbyllur shkolla dhe rrugë në shumë zona të vendit, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar. Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) ka paralajmëruar për kushte “kërcënuese për jetën”, të cilat shtrihen nga Teksasi deri në Anglinë e Re.
Sipas autoriteteve, dy persona kanë humbur jetën nga hipotermia në Luiziana, ndërsa raste të tjera vdekjesh të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se mbi 800 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike që nga pasditja e djeshme.
Problemet janë shtrirë edhe në transportin ajror, ku më shumë se 11 mijë fluturime janë anuluar. Meteorologët paralajmërojnë se reshjet e dendura të borës, breshëri dhe shiu i ngrirë – një fenomen veçanërisht i rrezikshëm mund të zgjasin për disa ditë, duke prekur rreth 180 milionë amerikanë.
Sipas ekspertëve, akulli paraqet rrezikun më të madh, pasi mund të dëmtojë pemët, të rrëzojë linjat e energjisë dhe të bëjë rrugët të pakalueshme. Në Virxhinia dhe Kentaki janë raportuar qindra aksidente rrugore për shkak të kushteve të vështira.
Edhe Kanadaja është prekur nga moti i keq, me reshje të mëdha bore dhe anulime të shumta fluturimesh. Autoritetet parashikojnë se në provincën e Ontarios trashësia e borës mund të arrijë nga 15 deri në 30 centimetra.