TV LIVE
Sport
26 January 2026
Spektakël i “djajve”, United “kafshon” edhe Arsenal, rihapet gara në Angli, Carrick: Nuk rrëmbehem

Man.United bën “djallin” më të mëdhenjtë, pas Man.City në derbi, ekipi i Carrick “thyen” edhe Arsenal, për më tepër brenda në Londër, duke rihapur edhe një herë garën për titull në Premier League. E shijon këtë fitore edhe Pep Guardiola, me “qytetarët” që ngushtojnë diferencën me kreun në vetëm 4 pikë. Pas dy fitore radhazi, ndaj dy rivalëve të fortë, “djajtë e kuq” e shohin veten tashmë në zonën Champions, në vendin e katërt.

Në “Emirates” u zhvillua një sfidë spektakolare, me 5 gola të shënuar dhe me raste të shumta për shënim. “Topçinjtë” ishin me fat teksa e gjetën avantazhin në minutën e 29-të ku Lisandro Martinez devijoi topin në portën e tij. United reagoi shpejt, me “djajtë” që përfiton nga një gafë në mbrojtje e Arsenal, me Mbeumo që barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 37-të. Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 50-të, Dorgu realizoi një super gol duke përmbysur shifrat në 1-2. Arsenal spostoi Man.United në gjysmëfushë në kërkim të barazimit. Pas disa përpjekjeve, Merino arriti të shtyjë topin në rrjetë gjatë një rrëmuje në zonë. Spektakli nuk kishte fund pasi në minutën e 87-të, Cunha me një goditje shumë të bukur nga distanca tundi rrjetën duke dërguar në delir tifozët e Man.United që shijuan pafund këtë sukses 3-2 përballë Arsenal.

https://www.youtube.com/watch?v=wANMg8opwjs&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2F

Feston për fitoren e tij të dytë radhazi në krye të United trajneri Carrick, por pa menduar më larg se ndeshja e radhës: “Nuk po rrëmbehem. Kemi ndeshje të mëdha edhe në vijim, sepse çdo ndeshje tjetër është një ndeshje e madhe. Kemi gjëra të rëndësishme që na presin, ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi”, u shpreh Carrick.



Të ndryshme
Më shumë