TV LIVE
Kuriozitete
26 January 2026
Botohet vepra e plotë e Prof. Ziaudin Kodrës (1909-1965) për letërsinë arbëreshe

Botohet vepra e plotë e Prof. Ziaudin Kodrës (1909-1965) për letërsinë arbëreshe

nga Emil Lafe

Në panairin e sivjetshëm të librit në Tiranë shtëpia botuese e Fondacionit ALSAR solli ndër të tjera vëllimin “Studime arbëreshe”  (944 f.) të prof. Ziaudin Kodrës. Prof. Ziaudin Kodra (1909–1965) është një personalitet i shquar i shkollës shqipe, i studimeve letrare dhe i jetës kulturore të vendit tonë. Emri i tij është i pandashëm nga Bota Arbëreshe në tërësinë e larmishme të saj dhe veçanërisht nga letërsia aq origjinale dhe nga folklori i arbëreshëve, si pasqyrues i brengave e i gëzimeve të jetës dhe shprehës i një ndjesie të hollë të artit popullor të fjalës. Kësaj pasurie të paçmuar të kulturës shqiptare të zhvilluar në një truall të huaj, po me rrënjë të pashkëputura nga trualli amtar, me një përmallim thekës për Arbrin e Motit të Madh, prof. Ziaudin Kodra u kushtoi rrahjet e zemrës, mendjen dhe jetën e vet. Prandaj përmendja e emrit të tij të sjell menjëherë përpara syve gjithë galerinë e figurave të shquara të artit letrar, të dijes dhe të jetës mendore e fetare të arbëreshëve tanë.

Ziaudin Kodra lindi në Dibrën e Madhe më 1909. Përndjekja shoviniste e pushteti serb e detyroi familjen e tij të shpërngulet në Tiranë, si qindra familje të tjera dibrane. Këtu kreu shkollën qytetëse. Një rast fatlum më 1925 e çoi të mësonte për pesë muaj në Kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në fshatin Shën Mitër (Kalabri). Ishte kjo ngjarje që ndoshta shënoi edhe karrierën e tij të ardhshme shkencore. Më pas ndoqi Liceun Kombëtar (francez) në Korçë dhe e përfundoi më 1932. Fitoi bursë nga shteti shqiptar dhe ndoqi studimet e larta për gjuhë e letërsi, që ishte pasioni i tij, në Universitetin e Firences. U diplomua më 1936. Gjatë viteve të qëndrimit e studimit në Itali Ziaudini pati mundësinë të njihte nga afër gjuhën, letërsinë dhe trashëgiminë kulturore arbëreshe, kryesisht të krahinës së Kalabrisë. Që nga ajo kohë, studimi i autorëve arbëreshë dhe i letërsisë popullore arbëreshe u bë qëllimi shkencor i jetës së tij.

Pas kthimit nga studimet e larta, më 1936, Ziaudin Kodra u emërua mësues i letërsisë në Shkollën Normale të Elbasanit, ku punoi deri në vitin 1939. Si shumë arsimtarë të tjerë e priti me revoltë pushtimin fashist, u pezullua nga puna dhe më pas u internua në Itali, në fillim në ishullin Ventotene e më pas në kampin-burg të Kolfioritos (Colfiorito). U lejua të kthehej në atdhe më 1941 dhe punoi si profesor në gjimnazin e Tiranës. Në vitin 1946 u emërua mësues i letërsisë në Shkollën Pedagogjike të Tiranës, ku punoi deri në vitin 1950. Dy vitet e fundit 1948–1950 ishte drejtor i kësaj shkolle. Në vitin 1950 Ziaudin Kodra u emërua profesor i letërsisë në Institutin Pedagogjik, ku përgatiteshim mësues të gjuhës e të letërsisë shqipe për shkollat e mesme. Që nga viti 1957 e deri sa u nda nga jeta (1965) ishte profesor i letërsisë arbëreshe në Universitetin e Tiranës, që u themelua në shtator të atij viti.

Emrin e Ziaudin Kodrës brezi im e njeh nga teksti “Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe”, që përdorej në vitet ’50 në shkollat e mesme (botuar më  1952 e 1954). Për herë të parë letërsia arbëresh trajtohej Letërsia arbëreshe ka qenë gjithnjë një lëndë e dashur dhe tërheqëse, sepse tek arbëreshët ne shikonim, edhe pas pesë shekujsh, trimat e Motit të Madh, bashkëluftëtarët e Skënderbeut, që u larguan për të mos iu nënshtruar sundimit osman. Arbëreshët, pa e harruar kurrë historinë e tyre të dhimbshme,  kishin nisur me kohë luftën në frontin e kulturës, të diturisë, të krenarisë kombëtare dhe të zgjimit të madh kombëtar, duke ëndërruar, pse jo, edhe kthimin te vatrat e të parëve. Këtë përjetim të përmallshëm e ka shprehur aq bukur poetikisht Zef Serembja, duke shkruar se Arbëria që është prapa detit “na kujton/  se na të huaj po jeemi te ky dhee! / Saa vjet shkuan! E zëmra së harron .... (Vjersha “Rrutullupë). Lënda e letërsisë arbëreshe meriton të mbajë një vend të qëndrueshëm e të përhershëm në programin e arsimit të përgjithshëm jo vetëm për vlerat letrare-artistike dhe kulturore të saj, por edhe si lëndë themelore e edukimit kombëtar, pasqyruese e psikikës dhe e mendësisë shqiptare. Arbëreshët janë një pjesë e mërguar e atdheut tonë dhe si të tillë duhen vështruar e trajtuar kurdoherë. Nuk ka shqiptar që të mos dijë se cilët janë arbëreshët dhe nuk ka arbëresh që të mos dijë se është shqiptar nga gjaku e nga historia, edhe kur shumë pak mund t’i ketë mbetur në kujtesë nga ligjërimi i të parëve.

Gjatë studimeve në Universitetin e Tiranës e njoha nga afër prof. Z. Kodrën. Më pas, kur u emërova në Institutin e Gjuhësisë, ai vinte herë pas here në zyrën tonë për të takuar kolegët dhe miqtë e tij: A. Xhuvanin (e kishte pasur drejtor në Normalen e Elbasanit), E. Çabejn, M. Domin dhe për të diskutuar me ta çështje të ndryshme ose për t’u treguar për vizitat e tij tek arbëreshët. Kam dëgjuar me vëmendje kumtesat që i lexonte plot pasion, në konferenca shkencore. Ajo që i mbetet e pashlyer në kujtesë kujtdo që e ka njohur prof. Z. Kodrën, është njëjtësimi i tij me fushën e studimit: të dukej sikur ai dhe Bota Arbëreshe përbënin diçka të pandashme. Bota dhe letërsia arbëreshe ishin jeta dhe shtëpia e tij e përjetshme. Prof. Z. Kodra u nda nga jeta 56 vjeç, kur kishte arritur shumë falë pasionit të studiuesit dhe punës së tij të ngulët, por ai kishte në mendje e në letër edhe shumë shestime shkencore për të sjellë studime e vështrime të reja për letërsinë dhe folklorin arbëresh. Bibliografia e tij shkencore, që botohet në hyrje të vëllimit “Studime arbëreshe”, është mjaft e pasur dhe zbulon një intelektual aktiv e energjik. Deri sot trashëgimia e tij studimore, e përderdhur në revista dhe botime të veçanta, nuk ishte mbledhur në një vëllim përmbledhës.

Në dhjetor 2024 u mbajt në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës simpoziumi “Prof. Ziaudin Kodra – studiuesi i vyer i Botës Arbëreshe”, me rastin e 115-vjetorit të lindjes së tij, organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, e cila po përgatit për botim vëllimin me kumtersat që u mbajtën. Ky  simpozium qe një shtysë që nisma e familjes Kodra për ta mbledhur dhe botuar në një vëllim veprën e njeriut të tyre të afërt, të hynte në rrugë të mbarë. Bashkë me kolegun e vyer e të papërtuar dr. Thoma Qendro, e quajtëm si detyrim qytetar që ta nderonim kujtimin e prof. Z. Kodrës, duke kryer punën redaktoriale filologjike për botimin e veprës së tij të gjerë. Z. Ilir Kodra, nip i prof. Z. Kodrës, qe gjithnjë në gatishmëri për të mbledhur dhe kompjuterizuar gjithë lëndën. Jemi përpjekur që të përgatisim një ribotim cilësor të shkrimeve të autorit, që shtrihen në një periudhë 30-vjeçare: 1935–1965, gjatë së cilës gjuha letrare shqipe në tërësi dhe stili i veprimtarisë shkencore në veçanti, patën një zhvillim dinamik. Për këtë arsye kemi mënjanuar luhatjet e zakonshme drejtshkrimore e gramatikore të asaj kohe dhe shumë luhatje të tjera që kanë të bëjnë me emërtime arbëreshe, por natyrisht kemi ruajtur gegërishten letrare që ka përdorur autori deri nga mesi i shekullit të shkuar.

Vëllimi i pranishëm përbën një vepër konsultimi dhe studimi për letërsinë arbëreshe deri në gjysmën e parë të shekullit XX, por është njëkohësisht edhe një antologji e vlerave më të spikatura të asaj letërsie, përfshirë edhe letërsinë popullore. Lënda e vëllimit është grupuar në gjashtë pjesë. Pjesa e parë përmban  kapitujt e hartuar nga prof. Z. Kodra për veprën “Historia e letërsisë shqipe”, të botuar nga Universiteti i Tiranës (dy vëllime, 1959), që mbetet ende e pakapërcyer nga gjerësia dhe kriteret shkencore të hartimit. Në këtë vepër Z. Kodra ka trajtuar autorët Lekë Matranga, Nikollë Brankati, Nikollë Filja, Nikollë Keta, Jul Variboba, Jeronim De Rada, Anton Santori, Gavril Dara (i Riu), Zef Serembe dhe Vinçenc Stratigoi dhe gjithashtu vështrimet e përgjithshme për letërsinë arbëreshe sipas periudhave (shek. XVI, XVII e XIX). Pas botimit të kësaj vepre kolektive prof. z. Kodra shkroi edhe një varg artikujsh në shtypin shkencor e letrar, ku thelloi e zgjeroi punimet e mëparshme të tij dhe solli autorë e vepra të patrajtuara më parë. Pas kësaj në vëllim vjen pjesa e letërsisë arbëreshe e trajtuar në librin për shkollat e mesme të përmendur më lart. Duke qenë tekst mësimor, lënda është hartuar në një mënyrë të përshtatshme për nxënësit dhe për çdo autor jepen pjesë të gjera nga veprat, të pajisura me shënime të hollësishme për të kuptuar fjalët dhe shprehjet e tyre të veçanta.

Letërsia arbëreshe, ashtu si çdo letërsi tjetër, i ka rrënjët te letërsia popullore, e cila zë një vend të gjerë në tekstin në këtë tekst. Autori ka trajtuar  figurën e Skënderbeut në folklorin arbëresh, epikën historike, këngët lirike (të dasmës, të dashurisë dhe ato me tema patriotike etj.). Krahas pjesës studimore në këtë vëllim janë përfshirë edhe shkrimet e botuara si shënime udhëtimi të prof. Ziaudin Kodrës nëpër fshatrat arbëreshe dhe shënimet e tij për pjesëmarrjen në veprimtari shkencore për arbëreshët të zhvilluara në Itali.

Gjithë pjesët me studime arbëreshe zënë mbi 700 faqe të librit. Më tej vijojnë artikuj për autorë të letërsisë shqipe të shkruar me raste përkujtimesh ose si recensione (për rilindësit në përgjithësi, për Kostandin Kristoforidhin, për Thimi Mitkon, për Haki Stërmillin, për Migjenin, për dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës dhe përkthimin e saj gjermanisht nga albanologu Maximilian Lambertz, një admirues i ligjërimit popullor shqiptar dhe i dialogëve në veprat dramatike. Prirja e veçantë e Z. Kodrës ndaj letërsisë popullore shprehet edhe te vëmendja e tij ndaj vëllezërve Jakob (1785–1863) dhe Wilhelm (1786–1859) Grimm, filologë gjermanë të mirënjohur për mbledhjen dhe botimin e përrallave popullore. Z. Kodra ka shkruar artikuj përkujtimorë në shtypin letrar me rastin 100-vjetorit të vdekjes së secilit prej tyre dhe ka përkthyer nga gjermanishtja nëntë përralla, që janë përfshirë në këtë vëllim.

Në shkrimet e prof. Z. Kodrës bie në sy kujdesi për një shprehje shqipe të pastër, të rrjedhshme e të bukur. Si filolog, ai ishte i dhënë edhe pas gjuhës shqipe, që e çmonte për vlerat e asaj. Për disa vjet mbajti ligjërata edhe për lëndë gjuhësore në Institutin Pedagogjik. Fryt i kësaj prirjeje të veçantë është edhe një shkrim i tij i gjatë “Më shumë kujdes për gjuhën”, i botuar në shtypin e kohës dhe i përfshirë në këtë vëllim, si thirrje edhe për shkrimtarët e gazetarët e sotshëm, që të kenë më shumë kujdes për gjuhën.

Pjesa e fundit e vëllimit përmban shkrime kushtuar Ziaudin Kodrës. Prof. Klara Kodra, e mirënjohur për studimet e shumta të saj në fushën e letërsisë arbëreshe, në punimin “Prof. Ziaudin Kodra – studiues i shquar i letërsisë arbëreshe”, shtjellon dhe vlerëson ndihmesat e prof. Z. Kodrës për letërsinë arbëreshe dhe i jep atij një vend nderi në këtë fushë. Në vijim renditen shkrime për jetën dhe veprën e prof. Z. Kodrës nga prof. Koço Bihiku, prof. Mark Gurakuqi, Shpëtim Kodra dhe nekrologjia zyrtare me lajmin e ndarjes nga jeta të tij më 10 shtator 1965. 

Vëllimi i pranishëm përbën një vepër konsultimi dhe studimi për letërsinë arbëreshe deri në gjysmën e parë të shekullit XX, por është njëkohësisht edhe një antologji e vlerave më të spikatura të asaj letërsie, përfshirë edhe letërsinë popullore. Prandaj shpreh bindjen se kjo përmbledhje studimesh të prof. Ziaudin Kodrës, e nisur si një peng nderimi ndaj tij, është gjithashtu një vepër studimi, që u drejtohet studentëve të letërsisë shqipe në universitetet tona, po ashtu mësuesve të kësaj lënde në mbarë hapësirën shqiptare dhe gjithë atyre që kanë dëshirë, kureshtje e interes kulturor për letërsinë arbëreshe. Këtu do të gjejnë pa dyshim materiale dhe analiza nga një specialist i dorës së parë në këtë fushë.

Sot, kur vërehet një vëmendje në rritje ndaj Botës Arbëreshe dhe vlerave kulturore të saj, ky botim do të gjejë një rreth të gjerë lexuesish, sidomos profesorë të letërsisë në shkollat e larta e të mesme dhe studentë të fakulteteve filologjike në gjithë hapësirën shqiptare dhe gjithashtu në katedrat e gjuhës e të letërsisë shqipe në Itali e në institucionet kulturore arbëreshe. Dëshiroj të vë në dukje vlerësimin e Fondacionit ALSAR dhe të drejtorit të tij, z. Mehdi Gurra, për lëndën e librit e për autorin e saj dhe pëlqimin dashamir për ta përfshirë në programin e botimeve të fondacionit. Duke botuar me cilësi të lartë këtë libër të vëllimshëm Fondacioni ALSAR, i njohur për serinë e pasur të botimeve nga fusha e historisë, gjuhësisë dhe e letërsisë shqiptare, sjell një ndihmesë të re me vlerë në fushën e njohjes së letërsisë arbëreshe dhe të studiuesve të saj.



Të ndryshme
Më shumë