TV LIVE
Kuriozitete
26 January 2026
Udhëtim dimri në rrugën Bogë-Theth, destinacion i turizmit të aventurës

Rruga Bogë-Theth vijon të jetë e kalueshme, pavarësisht reshjeve të dëborës në këtë zonë malore.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga kjo rrugë që të çon në Theth, një aks prej 16 kilometrash që e lidh këtë fshat turistik me Qafën e Thores, Bogën dhe Shkodrën.

Boga është shndërruar në një pikë të preferuar për turizmin malor si nga turistët vendas dhe ata të huaj.

Ajo është një pikënisje e aventurës mes Alpeve Shqiptare, të cilat fshehin në gjirin e tyre shtigje magjike, që mbeten për t’u zbuluar nga turistët.

Në Bogë zhvillohen sporte si alpinizmi, i cili mund të aplikohet me ngjitje në majat që janë përreth kësaj zone. Larmia e relievit krijon mundësi për ngjitje alpine të kategorive të ndryshme si për fillestarë, ashtu edhe për profesionistë.

Edhe Thethi, pjesë e Alpeve Shqiptare, është kthyer vitet e fundit në një pikë referimi për turizmin e aventurës dhe natyrës, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj që kërkojnë eksperienca autentike në zemër të maleve.

Pikat kryesore që turistët vizitojnë në Theth janë monumentet e natyrës si, Syri i Kaltër, vaskat në Ndërlysë, ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, shpella e Arapit, shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.



Të ndryshme
Më shumë