Pas pushimit dimëror, nga dita e sotme nxënësit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme janë rikthyer në bankat shkollore për të vijuar procesin mësimor të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor.
Drejtori i sapoemëruar i Shkollës së Mesme Komunale “Drita” në Kërçovë Lulzim Sadiku, bëri të ditur se procesi mësimor ka filluar normalisht dhe pa pengesa. Ai theksoi se janë realizuar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e mësimit, përfshirë rregullimin e bankave dhe ambienteve mësimore.
Sipas tij, edhe transporti i nxënësve është i organizuar dhe funksional, duke siguruar bartjen e rregullt të nxënësve nga vendbanimet përkatëse drejt shkollës. Po ashtu, drejtori njoftoi se sistemi i ngrohjes në shkollë është funksional, duke garantuar kushte të përshtatshme për zhvillimin normal të mësimit gjatë ditëve të ftohta të dimrit.