Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, këtë të premte, 2 janar 2026, po mbahen homazhe për ish-kryetarin e këtij institucioni, Nexhat Daci, i cili ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare.
Në homazhe kanë marrë pjesë familjarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, kolegë dhe qytetarë, të cilët i kanë bërë nderimet e fundit ish-kryeparlamentarit.
Sipas agjendës zyrtare të ceremonisë mortore, aktivitetet do të vazhdojnë me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:45 në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, ceremonia e varrimit me nderime shtetërore do të zhvillohet nga ora 13:40 deri në 14:20, në Varrezat e Dragodanit.
Kush ishte Nexhat Daci
Nexhat Daci (26 korrik 1944 – 1 janar 2026), ishte politikan karriere në Kosovë, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë. Ai ka ushtruar detyrën e kryetarit të parlamentit nga viti 2001 deri më 2006.
Nexhat Daci ishte profesor i kimisë, doktor shkencash në kimi nga Universiteti i Zagrebit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, si dhe Akademisë Europiane për Çështje Mjedisi e asaj Amerikane.
Ai ishte i martuar dhe ka tre fëmijë. Fliste disa gjuhë të huaja, ndërsa specializimi i tij i veçantë ka qenë fusha e kimisë.
/tvklan.al