Nga Namir Lapardhaja
Më 31 dhjetor 1957 u nda nga jeta Hafiz Ali Korça, një figurë e rëndësishme e sendërtimit moral dhe shpirtëror të kombit shqiptar.
Dijetar i fesë dhe i gjuhës, publicist dhe mësues, polemist dhe poet, mendimtar dhe njeri i angazhuar, Hafiz Ali Korça e kuptoi herët se beteja më e vështirë ishte ajo për të ruajtur dhe fituar shpirtin e shoqërisë shqiptare.
Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep Watching
Krahas mendimtarëve dhe teologëve të tjerë, ai nuk i pa të ndara veçmas mësimin e shqipes dhe mësimi i fesë, duke mos i ndarë, por bashkuar si pjesë të së njëjtit bosht: kombit. Përmes abetareve, teksteve mësimore dhe ligjërimit fetar në shqip, ai punoi për një shoqëri të arsimuar, të ndërgjegjshme dhe të rrënjosur në vlerat morale.
Hafiz Ali Korça e kishte të qartë se feja pa dije ishte rrezik, ndërkohë dija pa etikë ishte e pavlerë dhe boshe.
Këtë botëkuptim ai e shprehu edhe në vargjet e tij, që jnë manifesti i rrallë i ndërthurjes së patriotizmit me ndërgjegjen fetare:
“Atdheu është kutia, feja xhevahiri,
Rron në kuti brenda e ruhet floriri;
Për të mbrojtur nderin na duhet kutija,
Po s’pate Atdheun, shkon feja, inxhija.”
Në këto pak rreshta, Hafiz Ali Korça formuloi një ide, që nuk është vetëm e tij, por edhe e hoxhallarëve dhe priftërinjve të tjerë, të cilët nuk e shihnin fenë kundër kombit, por shkatërrimin e kombit si pjesë të shkatërrimit të fesë.
Si publicist dhe polemist, Hafiz Ali Korça shfaq anën e tij më të guximshme dhe një formim intelektual të një kalibri të lartë, duke mos u rënë pre e rrymave ideologjike që po futeshin në Shqipëri, por duke i parë ato me syrin e kritizerit. Një ndër kontributet e tij më të çmuara është pikërisht vepra “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”, e shkruar kohë përpara se komunizmi të hidhte rrënjë dhe të merrte pushtetin në këtë vend, duke e trajtuar bolshevizmin jo thjesht si një doktrinë politike të huaj, por si një rrezik ekzistencial për Shqipërinë. Ai paralajmëron se komunizmi, me mohimin e Zotit, shkatërrimin e pronës, zhdukjen e elitës mendore dhe nënshtrimin e individit ndaj shtetit, do të sillte jo barazi, por dhunë, varfëri dhe terror shpirtëror. Lexuar sot, “Bolshevizma” tingëllon jo si polemikë e kohës, por si parashikim tragjik i asaj që vendi do të përjetonte për gati gjysmë shekulli.
Më 31 dhjetor, në prag të ndërrimit të viteve, kujtimi i Hafiz Ali Korçës nuk është vetëm nderim për një dijetar të harruar dhe një atdhetar të shquar, por edhe një paralajmërim për ata që duan të fusin armiqësinë mes kombit dhe fesë, duke qenë të verbër ndaj shembujve të pafundm në historinë e këtij vendi që vetëm harmonia dhe ndërthurja mes të dyjave mund të japë një kontribut të vyer dhe të çmuar në mbarëvajtjen kombëtare dhe shpirtërore.