Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, pësoi një aksident tragjik gjatë skijimit në dhjetor të vitit 2013, i cili e la për muaj të tërë në koma të induktuar mjekësisht dhe i hapi rrugë një rikuperimi shumë të gjatë, larg syrit publik.
Sot bëhen 12 vite nga dita kur Michael Schumacher, pësoi aksidentin pothuajse fatal. Edhe pse ai mbijetoi, që prej asaj kohe ka qëndruar plotësisht larg publikut dhe informacionet mbi gjendjen e tij aktuale shëndetësore, kanë qenë jashtëzakonisht të kufizuara.
Ngjarja ndodhi në Alpet franceze, ku Schumacher doli jashtë pistës së skijimit dhe goditi kokën pas një shkëmbi, pavarësisht se mbante helmetë mbrojtëse.
Legjenda gjermane e Formula 1, u transportua me helikopter drejt spitalit dhe u vendos në koma të induktuar mjekësisht për disa muaj.
Më pas, ai u transferua në shtëpinë familjare pranë Liqenit të Gjenevës, ku jeton edhe sot, nën kujdes mjekësor 24 orë në ditë.
Raportohet se jeta e Schumacher-it është jashtëzakonisht e vështirë, me deri në 15 persona që kujdesen vazhdimisht për të.
Po ashtu, besohet se ai është i shtrirë në shtrat dhe i paaftë për të folur.
Sa i përket komunikimit, Schumacher mbështetet vetëm te sytë për të komunikuar me familjen dhe miqtë.
Ky detaj u bë publik nga Elisabetta Gregoraci, ish-partnerja e ish-drejtuesit të Formula 1, Flavio Briatore, dhe ka habitur shumëkënd, duke pasur parasysh sa pak dihet realisht për gjendjen e tij.
“Michael nuk flet, ai komunikon me sytë. Vetëm tre persona mund ta vizitojnë dhe unë e di kush janë.
Ata u zhvendosën në Spanjë dhe bashkëshortja e tij ka ngritur një spital në atë shtëpi”, ka deklaruar ajo.
Është raportuar gjithashtu se Schumacher ka bërë një paraqitje të parë publike në dasmën e vajzës së tij në vitin 2024, ku të ftuarve u ishte kërkuar të dorëzonin telefonat për të mbrojtur privatësinë e tij, megjithëse ky informacion më pas është kundërshtuar.
Një tjetër person që ka dhënë informacion të vlefshëm për gjendjen e Schumacher-it është Jean Todt, ish-shefi i Ferrari-t. Duke folur për një media franceze në vitin 2023, ai u shpreh:
“Michael është këtu, kështu që nuk më mungon. Por ai thjesht nuk është më Michael-i që ishte dikur. Ai është ndryshe dhe udhëhiqet në mënyrë të mrekullueshme nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij, të cilët e mbrojnë. Jeta e tij tani është ndryshe dhe unë kam privilegjin të ndaj disa momente me të. Kaq ka për të thënë. Fatkeqësisht, fati e goditi dhjetë vite më parë. Ai nuk është më Michael-i që njihnim në Formula 1.”
Neurokirurgu finlandez Dr. Jussi Posti, ka dhënë gjithashtu një vlerësim mbi gjendjen e mundshme aktuale të Schumacher-it. Duke folur për median finlandeze Iltalehti, ai tha:
“Në bazë të informacionit që është i disponueshëm, nuk mendoj se ai bën një jetë shumë aktive”.
Vetëm një rreth shumë i vogël miqsh dhe familjarësh lejohen ta vizitojnë Schumacher-in. Mes vizitorëve të konfirmuar janë Jean Todt, Ross Brawn dhe ish-piloti Gerhard Berger.
Duke folur për privatësinë e Schumacher-it, menaxherja e tij Sabine Kehm ka deklaruar:
“Shëndeti i Michael-it nuk është çështje publike dhe për këtë arsye do të vazhdojmë të mos komentojmë në lidhje me të”.
Edhe bashkëshortja e tij, Corinna Schumacher, foli për këtë temë në dokumentarin e vitit 2021, duke thënë:
“Ne po përpiqemi të vazhdojmë jetën si familje, ashtu siç e pëlqente Michael dhe siç ende e pëlqen. Michael gjithmonë na mbrojti ne, dhe tani ne po e mbrojmë Michael-in”.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbajtur jetën e tij private, në fillim të këtij viti u bë e ditur se ish-roja e një klubi nate, Yilmaz T., dhe bashkëpunëtorët e tij kishin organizuar një skemë shantazhi, duke kërkuar 12 milionë paund për të mos publikuar 900 fotografi, 600 video dhe dokumente mjekësore në “dark web”.
Thuhet se imazhet e tregonin Schumacher-in të shtrirë në shtrat spitalor, të ulur në karrocë dhe të lidhur me pajisje mjekësore. Personi kryesor u dënua me tre vite burg, ndërsa bashkëpunëtorët morën dënime me kusht.
Një hard disk i humbur vazhdon të shqetësojë familjen Schumacher. Avokati Thilo Damm që citohet nga Walles Online, ka deklaruar:
“Nuk e dimë se ku ndodhet hard disku i humbur… Ekziston mundësia e një kërcënimi tjetër nga prapavija”.