Manchester United ka marrë një fitore minimale, por mjaft të rëndësishme përballë Newcastle, duke triumfuar 1-0 në “Old Trafford”. Edhe pse me mungesa të shumta për shkak dëmtimesh dhe angazhimesh në Kupën e Kombeve të Afrikës, “Djajtë e Kuq” zhvilluan një pjesë të parë dominuese.
Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 24-t, kur Patrick Dorgu përfitoi nga një top i ardhur pas rivënies anësore dhe realizoi me një goditje fluturimthi.
Në pjesën e dytë, Newcastle u përpoq të reagojë dhe në minutën e 62-të kërkoi një penallti për prekje me dorë nga Lisandro Martinez. Pas rishikimit në VAR, arbitri vendosi të mos akordojë 11-metërsh dhe loja vijoi normalisht.
Rezultati nuk ndryshoi deri në vërshëllimën finale. Me këtë sukses, Manchester United ngjitet në vendin e 5-të të renditjes me 29 pikë, ndërsa Newcastle mbetet në vendin e 11-të me 23 pikë.