TV LIVE
Nga Vendi
26 December 2025
SH: Dimër i errët për qytetarët, fitime për EVN!? Ndërprerjet e rrymës po shkatërrojnë familjet, bizneset dhe largojnë diasporën

Aleanca për Shqiptarët (ASH), e udhëhequr nga Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjeve të shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike në disa rajone të vendit, duke i cilësuar ato si një skandal energjetik dhe dështim serioz të furnizuesit universal EVN Home.

Në kulmin e dimrit, kur temperaturat zbresin nën zero dhe familjet përpiqen të sigurojnë ngrohje dhe kushte minimale jetese, rajone të tëra të Kumanovës, Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit po përballen me mungesë të vazhdueshme të energjisë elektrike. Sipas ASH-së, ndërprerjet nuk janë më raste të izoluara, por zgjasin me orë të tëra, madje edhe ditë të plota, duke paralizuar jetën e përditshme të qytetarëve.

“Ky nuk është më një defekt teknik i zakonshëm, por një dështim sistematik i një kompanie që ka për detyrë ligjore të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike,” thuhet në reagimin e ASH-së.

Sipas Aleancës për Shqiptarët, pasojat janë të rënda dhe të shumëfishta:
• Familjet mbesin pa ngrohje, duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve dhe të moshuarve.
• Bizneset lokale pësojnë humbje të mëdha financiare në periudhën më të ndjeshme të vitit.
• Mërgimtarët, të cilët janë kontribuues kyç në ekonominë vendore, kthehen në vendlindje për të gjetur shtëpi të ftohta dhe pa energji elektrike.
• Për shkak të kushteve të papranueshme, diaspora detyrohet ta shkurtojë qëndrimin në vend, duke sjellë humbje direkte për ekonominë lokale dhe duke rrezikuar që në vitet e ardhshme shumë prej tyre të mos kthehen më.

ASH thekson se është e papranueshme që, pavarësisht instalimit të matësve sipas standardeve të vetë EVN Home, qytetarët të përballen ende me ndërprerje të shpeshta dhe defekte të pafundme. “Kjo nuk është paaftësi teknike, por arrogancë dhe mungesë respekti ndaj konsumatorëve,” vlerëson partia.

Aleanca për Shqiptarët rikujton se EVN Home ka detyrim ligjor të sigurojë furnizim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike, ndërsa çdo ndërprerje e zgjatur përbën shkelje të këtij detyrimi.

“Në vitin 2025, në zemër të Evropës, nuk mund të pranohet që qytetarët dhe mërgimtarët të jetojnë pa energji elektrike në ditët më të ftohta të vitit. EVN Home duhet të japë përgjigje konkrete dhe zgjidhje urgjente, jo justifikime,” përfundon reagimi i ASH-së.(INA)



Të ndryshme
Më shumë