Ernest Muçi po konfirmon formën e tij të mirë në kampionatin turk, duke u shndërruar në një nga pikat më të forta të Trabzonsporit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte sërish vendimtar, këtë herë në sfidën e humbur 4-3 në transfertë ndaj Genclerbirligi.
24-vjeçari la gjurmë të dyfishta në ndeshje. Në minutën e 50-të, Muçi shërbeu saktë në zonë, duke asistuar për Felipe Augusto, i cili realizoi golin e dytë për Trabzonsporin. Pak më vonë, në minutën e 67-të, shqiptari mori përgjegjësinë nga pika e bardhë dhe shënoi me qetësi penalltinë, duke e afruar skuadrën e tij në shifrat 4-3.
Pavarësisht përpjekjeve dhe kontributit të Muçit, ekipi i Trabzonsporit nuk arriti të shmangte humbjen dhe mbeti pa pikë nga kjo përballje. Me këtë gol, Muçi ngjitet në kuotën e shtatë realizimeve në Superligën turke, duke treguar një vazhdimësi të lartë në paraqitje. Kujtohet se ai iu bashkua Trabzonsporit në formë huazimi nga Beşiktaş në fund të merkatos.