Nënë Tereza ishte 19 vjeç, kur shkoi si fillestare në Indi, ku u përball me mjerimin, urinë dhe sëmundjen. Ajo jetoi si murgeshë dhe mësuese në Kalkuta, në urdhërin katolik Loreto, i cili i kushtohej arsimit dhe punës misionare në Indi. Kalkuta ishte e mbipopulluar, shërbimet shtetërore ishin të mbingarkuara dhe sistemi shëndetësor pothuajse inekzistent.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Britania e Madhe, pas rreth 200 vjetësh sundimi kolonial, India përballej me sfida të mëdha. Në vend kishte trazira, mijëra njerëz humbën jetën në incidente të dhunshme.
Në këtë kaos na çon filmi "Tereza - Një jetë mes dritës dhe hijes", pa zbukurime estetike, në një qytet me zhurma, ngushtësi dhe dyndje njerëzish.
Tereza, e lindur në vitin 1910 si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkupin e sotëm, shfaqet aty si një grua, që misionin e saj e kërkon mes rrënojave dhe vështirësive. Gjatë një udhëtimi me tren ajo duhet të ketë përjetuar "vokacionin e saj": jo për të jetuar më vetëm për Zotin, por në mes të më varfërve ndër të varfërit.
Një grua që rebelohet kundër kishës së saj
Filmi tregon Terezën (të luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme nga Noomi Rapace) jo si një figurë të mbinatyrshme të dritës, por si një grua që përplaset me kishën e saj.
Sepse projekti i saj ishte revolucionar: të linte manastirin, të themelonte urdhërin e saj, të zhvendosej në mes të lagjeve të varfëra, të ndihmonte njerëzit e sëmurë dhe ata që po vdisnin - si një murgeshë urdhëri jashtë urdhërit. Kisha e frenoi, sepse dëshira e Terezës nënkuptonte largim nga traditat e vjetra dhe mosbindje. Por ajo mbeti kokëfortë. Vetëm në vitin 1948 Vatikani u dorëzua dhe në vitin 1950 ajo themeloi më në fund urdhërin global të "Misionareve të Bamirësisë".
I pasur nga ana vizuale, por i kursyer nga ana gjuhësore, i shoqëruar nga kitarat elektrike, filmi tregon lagjet e varfëra të Kalkutës me njerëz të vrarë nga varfëria dhe sëmundjet, botën ideale të shkollës së vajzave, ku nxënëset veshin fustane rozë dhe dhomat spartane të murgeshave në muret e manastirit, ku Tereza drejtonte me autoritet si nënë superiore.
Filmi i qaset Terezës në mënyrë kritike, por me respekt, kështu që disa polemika lihen më tepër të nënkuptohen. Në një skenë të qetë ajo pyet veten, nëse angazhimi i saj vjen vërtet nga bamirësia e pastër apo vaniteti, një moment që e lë shkurtimisht mënjanë mitin dhe tregon një Terezë, që pyet veten. Më vonë ajo diskuton me priftin, që drejton manastirin, në lidhje me abortin. Ai i kujton asaj që të mos i gjykojë gratë, por të marrë parasysh arsyet, që i shtyjnë gratë të ndërmarrin këtë hap. Dhe befas lind pyetja: nëse të kuptuarit e tjetrit lejon edhe kundërshtimin ndaj institucionit të kishës, që dënon abortin./dw