Këtë të hënë, kryeministri i vendit Edi Rama, teksa po merr pjesë në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, theksoi se kontrata me BE-në për bujqësinë është më e vështira.
Sipas tij, marrëveshja me Unionin evropian është një kontratë shtetërore që përfshin të gjitha faktorët.
“Kontrata për bujqësinë është më e vështira, siç ka treguar eksperienca e vendeve të tjera dhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet, standartet, kontrollet që burojnë nga cilësia e lartë e sigurisë dhe e produkteve kur vjen puna për të qenë lojtarë në tregun e bashkuar evropian”, shprehet Rama.
Gjithashtu, kreu i qeverisë shoti se sektori i bujqësisë ishte i braktisur më shumë se një dekadë më parë, duke shtuar se tani “produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar në gjysmë mld euro”.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Planin e veprimit dhe domosdoshmërinë e ndërveprimit mes nesh në mënyrë që bujqësia të përballojë sfidën e tregut evropian në kontekstin e Shqipërisë anëtare të BE. Dua që të flas shumë hapur me ju, duke iu thënë se kjo sfidë ka dy anë, anën e errët dhe të ndritur.
Ana e errët është ajo që pret çdokënd prej jush që nuk është i përgatitur për atë ditë sepse negociatat me BE dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese thjesht të lidhura me çfarë shkruajmë në letër, por kontratë shtetërore shumë komplekse ku çdo faktor shtetëror dhe shoqëror duhet t’i përgjigjet kontratës. Kontrata për bujqësinë është më e vështira, siç ka treguar eksperienca e vendeve të tjera dhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet, standartet, kontrollet që burojnë nga cilësia e lartë e sigurisë dhe e produkteve kur vjen puna për të qenë lojtarë në tregun e bashkuar evropian.
Por unë besoj shumë te ju dhe të gjithë ata që në kushtet të pakrahasueshme me sot një dekadë më parë ishin aty te toka dhe përballeshin me një sfidë mbijetese të jashtëzakonshme. Kush e ka kaluar atë sfidë ka më besim se do ta kalojë edhe këtë sfidë. Janë të natyrave të ndryshme por në thelb kanë të bëjnë me vullnetin për të bërë sukses sepse asokohe bujqësia shqiptare ishte një sektor i braktisur totalisht, një dekadë e pak më parë. Numri I fermerëve që merrnin një mbështetje simbolike nga shteti ishte 5600. Sot është 67 500.
Nuk bëhet fjalë për mbështetje simbolike, por mbështetje që peshon në portofolin e fermës. Eksportet ishin thjesht dhe vetëm një aktivitet i një grushti njerëzish që ia kishin dalë deri aty dhe deificiti tregtar ishte një katastrofë unikale në rajon se në Evropë nuk po bëjmë krahasime për çdo euro të eksportuar ne importonim 9 euro në ushqim. Ndërkohë që sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar në gjysmë mld euro dhe dificiti është ulur nga 1 me 9 në 1 me 3 dhe përpjekja jonë është që të shkojmë drejt 1 me 2.
Marrëveshja me BE është kontratë shtetërore e të gjithë faktorëve dhe për të gjithë faktorët institucionalë dhe shoqërorë. Për fermerët është kontratë që kërkon standarde dhe cilësi, teknologji dhe dixhitalizim, orgaizim të sofistikuar dhe mbështetje, e cila do të vijë duke u rritur vit pas viti.