TV LIVE
Nga Rajoni
19 December 2025
Rama për Berishën: Komunisti ultrafanatik u kthye në konservator

Kryeministri Edi Rama, gjatë emisionit “Opinion”, duke folur mbi trashëgiminë që la komunizmi në politikën shqiptare, theksoi se dëmi më i madh është fakti se nga një pjesë e klasës politike të viteve pas ’90 nuk është lejuar mendimi ndryshe.

Rama tha se “dëmi më i madh që kam konstatuar nga ajo kohë ka qenë që duke vrarë dhe duke mos lejuar që të ngjallet për asnjë sekondë ideja e tjetrit, jo e kundërshtarit, por e tjetrit që ka një mënyrë ndryshe të të menduarit dhe pikërisht pse e ka, duhet zhdukur, asgjësuar, kjo ka bërë që të kemi trashëgiminë më të errët nga pikëpamja e marrëdhënieve mes njërit dhe tjetrit nga pikëpamja politike, sociale, ku tjetri vazhdoi të konsiderohet armik me ndryshimin që në vend të pushkatimeve, burgimeve ishte degjenerimi, balta, sulmet, akuzat, degjenerimi publik i tjetrit”, tha Rama.

Duke iu referuar ish-kryeministrit Berisha, Rama tha se “lidhet me fatkeqësinë e madhe që një komunist ultrafanatik, i cili u kthye në një konservator ultrafanatik dhe me gjuhën e urrejtjes, me teknikat e degjenerimit të tjetrit, luftën me çdo lloj kundërshtie brenda vathës së vet dhe me çdo lloj kundërshtari e ktheu në metodë”.

Rama tha se edhe Fatos Nano, lideri historik i Partisë Socialiste vinte nga ajo parti, por nuk mund të futet në këtë kategori.

“I vetmi njeri konseguent që e ka mishëruar këtë rrezatimin negativ që thashë, të Çernobilit komunist, ka qenë ai që tani s’po ia them emrin për respekt të vetes (Berisha). Linçimet në parti kanë nisur dhe kanë vazhduar në mënyrë konseguente me ato metoda të degjenerimit të kundërshtarit. Gjithë ajo dhunë që e karakterizonte atë regjim në mentalitet dhe e rrënjosur në të gjitha nivelet që kush të shfaqet ty përballë dhe nuk është si ti duhet degjeneruar u transponua në këtë fazë nga ai atje”, tha Rama.



Të ndryshme
Më shumë