TV LIVE
Kuriozitete
19 December 2025
“Kryetari i Degës Jani Naska më propozoi që të fusja në kurth Hysen Mullajn…”/ Dëshmia e tropojanit që vuajti 25 vite burg

Urim Elezi, lindur më 18.10.1941 në Floq të Korçës, hyn te të dënuarit dy herë nga regjimi komunist me shumë vite vuajtjeje. Ai u burgos më 26.10.1963 dhe doli që andej më 10.2.1989. hyri në 22 vjeç dhe doli 48 vjeç, madje i verbuar. Në moshën 18-vjeçare kreu shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nënoficer. Në dënimin e parë ishte ushtar në Repartin Nr.9357 Gjirokastër. Herën e parë u akuzua në bazë të nenit 64, në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Ishte me shërbim ushtarak, së bashku me shokun e tij Hekuran Shyti, në Gjirokastër. Sipas gjykatës, i kish propozuar Hekuranit të arratiseshin sepse bëhej jetë e mirë në vendet kapitaliste e sidomos në SHBA. Hekurani lirohet më parë nga ushtria dhe gjatë kësaj kohe gjen personat e tjerë, me të cilët do kryenin arratisjen. Hekurani i nis një telegram Urimit në Gjirokastër, me kërkesën që të të niset se nëna ishte sëmurë.

Kësisoj Urimi bashkohet me shokët e tij, Hekuran Shyti, Durim Shyti dhe Robert Morava. Të pa orientuar mirë, të spiunuar nga një banori i zonës, ata u kapën nga forcat e kufirit në postën kufitare të Nikolicës në rrethin e Korçës. Gjykata Ushtarake Tiranë me vendimin nr.21, datë 27.2.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet dhe të gradës së rreshterit.

U la në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.3.1964 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Për herë të dytë u arrestua më 19.2.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal me artikulime shumë rënduese. Dega e Punëve të Brendshme Fier, me shkresën nr.112, datë 15.1.1980, i kërkoi Drejtorisë së Hetuesisë miratimin e arrestimeve për tre shtetas, midis të cilët edhe i përmenduri Urim Elezi. Ishte marrë në përpunim aktiv më 17.5.1979 se zhvillonte propagandë në radhët e të dënuarve.

Raportonin për të “I penduari” dhe “Tekniku”. Për të thuhej të ishte shprehur: “Sigurimi i ka lyer duart me gjakun e këtij populli. Kanë bërë krimet më të shëmtuara që mund të ketë në histori, Sigurimi është sjellë me popullin dhe me njerëzit, më keq se ç’janë sjellë fashistët dhe nazistët..! Nuk ka më të poshtër se komunistët. Unë quaj komunistë të gjithë ata që kanë yllin në ballë si një domate, pavarësisht nëse besojnë mjekrën e Marksit apo mustaqet e Stalinit…! Krimet më monstruoze në Shqipëri, janë bërë në kohën kur kanë ardhur në fuqi komunistët…Jeta te ne është burg”.

Gjykata e Rrethit Fier e drejtuar nga Sokrat Dautaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Kiço Koçi, me vendimin nr.94, datë 18.4.1980, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie, si dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. I bindur në kotësinë e vendimeve komuniste, Urim Elezi nuk e ankimoi vendimin. Pasi i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, ku e cilësonte “përbindësh të pangjyrë, të sëmurë me mani persekutimi”, më 6.12.1981, u rrah nga policët e Burgut të Burrelit, deri sa u verbua. U lirua më 10.2.1989, nga Reparti nr.305 Përparim i rrethit të Sarandës.

Vijon nga numri i kaluar

Nuk di si ta shpjegoj si jam ndjerë pasi dëgjova këtë fjalë të Rizait. Truri im i kalonte torturat më shpejt sesa shiriti i filmave dhe me zhurmë si karrocat me kuaj…!

Sërish në Degën Punëve të Brendshme Korçë

Ashtu si më pat lajmëruar Rizai, ditën e nesërme, për sa më kujtohet 3-4 janar 1964, më thërret koloneli, kryetari i Degës, Jani Naska.

-“Do të vijnë nga Tirana, ndaj hiq dorë nga ato që ke thënë për udhëheqësin…! Thuaj që kur i kam thënë ato fjalë më përpara, nuk kam qenë i vetëdijshëm”. Vijnë nga mezi i asaj dite, dy të dërguar të Partisë, të cilët i shoqëronte Petro Tasellari. Të dërguarit e Partisë, pasi nisin bisedën me fjalë të bukura të tipit; “ti i vlen Partisë, je familje e nderuar veterane, etj.” përfundojnë me një ofertë të qelbur.

Ashtu siç vërtet ata e realizojnë mirë…të fusja në kurth Hysen Mullajn, për të cilin ata nuk e di mbi ç’baza pretendonin që e kisha dajo, por, në të vërtetë, unë kam dajo Alizot Zyfer Floqi. Adresa në Usa: PO. BOT 375 MASLOW, OHIO, USA, (aty ku doja të shkoja)”.

Në këtë moment ata të Tiranës, shihen ndër sy me Petro Tasellarin e vazhdojnë bisedën e tyre: -“ne të falëm jetën. Ti s’ke deponuar kështu. Ke thënë që do vije tek dajo Hysen Mullaj”. Kjo ishte një lojë e radhës së tyre, sepse unë këtë gjë nuk e kisha thënë, për vetë faktin se në të vërtetë unë atë se kisha dajo. Petro Tasellari hap çantën e më nxjerr para syve disa karta. Më pyet:- “është firma tënde kjo”? “Po-i them, pasi e shikoj. Firma ime është”. – “E mban mend çfarë ke deponuar këtu”?

– “Po, kanë kaluar dy muaj e pak, nuk e di unë çfarë kam firmosur”. (Shihen përsëri në sy)- “Ke firmosur që Hysen Mullaj është dajoja tënd dhe se ti do të shkoje tek ai”!

– “Jo, unë do vija tek dajoja im, Alizoti, këtë nuk e njoh”. (Dëgjoj që mërmëritën me njëri-tjetrin. bisedën nuk e dëgjova tamam, por dy emra i dëgjova të qartë, Ago Sinën dhe një tjetër Jani, jo Jani Naska, sepse thane kapiten (Jani, Jani Naska qe kolonel). Duke mburrur prindërit e mi dhe dy vëllezërit e mi, Avdylin dhe Myzaferrin, për të shpresuar për ndonjë rezultat tjetër, thërrasin Hodon, oficerin e rojës për të më marrë. Që prej asaj dite nuk torturohesha si herët e tjera dhe për të më shoqëruar diku, më merrte vetëm kapiten Riza Shehu.

Veç kësaj, as batanije apo kapot, nuk më hidhnin gjatë rrugës. Të nesërmen në mëngjes vjen vetë Rizai, deri tek shkallët e Hetuesisë e më çon në kat të dytë, të një prej pallacinave të Hetuesisë. Diku nga mesi i shkallëve, më kap fort përkrahu dhe më pëshpërit afër fare veshit: -“Hëmo Urim, jepi tani ec, se ta shpëtuam kokën”… Unë, fare i këputur…!

Aty, më fut në zyrën e tij dhe sa hyra aty, ajri qe shumë i rëndë, pasi zjarri bubullinte me të madhe. Rizai më ul në një karrige prej druri, jo prej hekuri siç më ulnin zakonisht. I gjendur mes nxehtësisë së dhomës, fillova të lëvizja sa andej këtej në karrige, sepse nuk po duroja dot më.

–“Hë mo Urim ç’ke që lëviz, se mos bësh ndonjë marrëzi? Të thashë, s’do bëjmë raketa jo”.– “Kam shumë vapë, plasa”, – i them. Siç isha në karrige, më largon nga pori e më afron pranë derës. Gjithashtu le dhe pak derën hapur. – “Mirë je tani Urim”?

– “Eee, mirë jam” – ia kthej unë. Hoqi këpucët dhe po i ngrohte këmbët. Thembra e çorapit të njërës këmbë i kishte dalë fare.

– “Hë mo Urim, pse nuk more me vete e disa të tjerë, të ma mbushje b***n mirë. Pesëdhjetë mijë mora nga ty. Myqka po më sjell çfarë dua edhe nga Shkodra”… etj etj (fjalë aventureske). “Rri ti tani këtu! Plak do të dalësh që këtu”! (kur më tha kështu, ashtu ulur në karrige, lotët më ranë nga fytyra në prehër e, sytë menjëherë më vajtën tek thembra që i kishte dalë).

– “Ti, jo 40-50 mijë të marrësh, po botën e tërë të kesh (ja tregoj me gisht), thembra e këmbës ka për të të dalë si patate Devolli…”! (Iu drodh mjekra dhe u zverdh në fytyrë; hapën sirtarin e tavolinës së tij të punës, aty kishte të mbështjellë në një gazetë pak bukë, djathë dhe ullinj).

– “Haji këto”, – thotë Rizai. – “Jo – i them unë. Po do vërtet që unë t’i ha këto, m’i jep siç më dhe pllakën e bukës e marmelatën. Këtu nuk e ha”.

– “Haje, se nuk të helmojmë. Tani do të të lejojmë dhe ushqimet. Kemi lajmëruar familjen që të të dërgojë rroba dhe ushqime”. Thërret oficerin e rojës: – “Hajde merre këtë, e sill 15-tën”! Më çon oficeri i rojës në qeli. (Pas vendimit të gjyqit, kur u takuam në burg, mora vesh që 15-ta qe Hekurani. Aty, Rizai i paskësh thënë Hekuranit, duke i treguar thembrën: – “Si të duket kjo”?

– “Po ja, është e grisur”, – ia kishte kthyer ai. Ai ngrihet i tërbuar, shkon mbrapa dosjeve, nxjerr shkopin prej thane dhe i hyn në dru. – “Nuk duket si patate Devolli”? e pyet Rizai përsëri. – “Jo”, – përgjigjet Hekurani.

– “Vërtet? Se kështu më tha ai shoku yt, Urimi”. (Hekuranit, Rizai i paskësh thënë, që ç’të bënte se kishte urdhër, pa do të na vriste të dyve me duart e tij). Prej asaj dite, nuk më fyen më! Brenda javës, më vijnë rrobat e fjetjes dhe ushqimet. Ama, polici nuk më lejonte ta haja në birucë të gjithë pllakën e bukës. Nuk lejohej më tepër se 2-3 kg ushqime në pesëmbëdhjetë ditë.

Dalja në gjyq, dënimi

 

Në datën 26 shkurt 1964, lajmërohemi që do të dalim në gjyq. Ato ditë edhe pse nuk kishim mjekër se ishim çunakë, na ruanin njëherë në javë. Mëngjesin e 26 shkurtit, vjen Demka (egjiptian), përgjegjës i birucave. (Demka, së bashku me policinë birucave, Halitin e Sanijes, i thoshin, ishin njerëzit më të këqij, më xhahilët, më të pashpirtët, më provokatorët).

Hapet dera, unë si gjithmonë ngrihem në këmbë, se ashtu duhej e Demka shpirt katrani, me hekurat që i vërtiste nëpër duar, më thotë me një tallje të paparë ndonjëherë: – “Hajde, hajde këtu e ktheji duart mbrapa, se do rruheeesh”!

Mbështetur në mur, pasi vë dorën në mjekër, ia kthej:- “po unë s’kam mjekër”! – “Hajde, hajde, se na ndot litarkën. Duhet të jesh i rrojtur kur të të vemë litarkën në fyt”. (Shtanga i brengosur, mbahem fort pas murit; sesi nuk më pushoi zemra se di. Se kuptoja ç’po ndodhte sepse kishte dy muaj që Rizai më pohonte vazhdimisht, që ma kishin shpëtuar kokën dhe se më tepër se 20 vjet, nuk do dënohesha.

– “Ke provim sottttt”!!!: tha xhahil Demka, duke qeshur! Në këtë kohë vjen Haliti, roja i birucave, i cili fliste me hundë: – “Pse nuk vjen 20-ta”?! – “Është mbështetur në mur e s’po ndihet, se u tremb nga litarka që do i vihet në fyt”, -thotë Demka. –“Hajde, hajde”, – më thotë Haliti. Dal pa vetëdije deri tek dera e birucës.

Më urdhërojnë t’i kthej duart mbrapa. Gjithmonë i kisha kthyer duart mbrapa, por atë ditë ngriva. Të dy m’i marrin duart me forcë e mi kthejnë mbrapa. Duke më shtyrë më çojnë tek berberi. Hodoja që rrinte gjithmonë në karrike me libër në dorë, aty ku rruheshim u bërtet; “ç’po bëni”?!

Haliti i thotë duke u zgërdhirë: – “Ja, i mbushi brekët ky, se ka hall që unë do rri të pastroj kallashin që do më ndotë”! Hodoja në këtë moment më kap mua përkrahu e urdhëron Halitin: -“Shpejt, ikë më prit ne kryetari”. Pasi u rrojta më futin përsëri në birucë. Pas 10-15 minutash Hodoja urdhëron:- “Shpejt, nxirreni 20-tën”. Në shkallët, më merr përkrahu me një tjetër, një që quhej Rexhep e, të dy më çojnë tek makina e madhe që më priste në sheshin e Degës. Vë këmbën në karrigen pranë derës së makinës e, të dy këta më shtyjnë për të hyrë brenda.

Kur hyj brenda në makinë, shikoj Halitin e Sanijes me një pushkë/automatik në dorë krekosur. Ngjitur me Halitin, përtokë shoh Durimin. Klith Durimi me të madhe: – “ç’je bërë kështu more”?! –“Nuk të pushkatojnë o jo”!

Në atë çast Haliti i Sanijes, i matet me qytë për t’i rënë. – “Durim, të lutem mos fol, se do të të bjerë”!- i them unë. – “Nuk më bie o Urim, jo. Le ta provojë të më godasë. Atë dua unë. Do dalim në gjyq e, s’na prek njeri sot”. – “Ëëëë, e ditke ti. E paske dhënë provimin njëherë”! – “E kam dhënë, ndaj bjer ti”!

Durimi, fill pasi më lëshojnë dhe mua përtokë, sjellin Hekuranin e Robertin. Rrugës për në gjyq, që të katërve na vendosën në pozicione të tilla, që të mos shikonim njëri-tjetrin. Përpara me një tjetër, qe hetuesi Riza Shehu, ndërsa me ne ishin 10-12 policë në këmbë, dikush me pushkë e dikush me automatik.

Mbërrijmë në Gjykatë, në të cilën hyjmë nga dalja para Gjykatës Ushtarake, në Korçë. Shoqërohej çdonjëri prej nesh nga dy policë. I pari zbres unë e mbas meje Durimi. Sa hyn pas meje Durimi, në sallën që ishte bosh, bërtet një grua me duar të vendosura poshtë gjoksit, e cila i drejtohet gruas tjetër:  -“Bobo, sa të rinj që qenkan të shkretët, ashtu siç më the ti”!

Në sallë ndodheshin vetëm tre gra, nëpunëse të Gjykatës Ushtarake Tiranë, ku njëra prej tyre rrinte kokulur. Qe e shoqja e Kolonel Mit‟hat Goskovës, kryetar i Gjykatës Ushtarake Tiranë, që kishte të bënte me Hekuranin dhe Durimin: e mora vesh këtë gjë, pasi ma tha Hekurani në burg. Ora ishte rreth 9.00-10.00.  Në sallën e gjyqit hyjnë familjarët tanë.

Nga ana ime ishte  Hilmi Elezi, kushëriri im i dytë, i cili pas dënimit erdhi na takoi në burg dhe na solli nga një llokume për secilin që u arratis. Ai sot gjendet në Amerikë. Nga ana ime, ishte dhe Petrit Cangonji, burri i çupës së hallos. Nga ana e Hekuranit, Robertit dhe Durimit, erdhën familjet e tyre.

Hyn trupi gjykues në sallë, me kolonel Mit’hat Goskovën kryetar i Gjykatës Ushtarake Tiranë, anëtar major Nasi Joga. Prokuror ishte nënkolonel Anastas Koroveshi. Gjoja avokat i imi dhe Hekuranit, ishte Andon Napuçe. Nga mëngjesi deri në darkë në orën 8, u bënë dy ditë gjyq.

AKT-AKUZA: krim dhe tradhti e lartë ndaj Atdheut, duke tentuar të arratisen për në Greqi, krim i parashikuar në nenin 64-10-13 të Kodit Penal; (deri në 4-janar 1964 përfshinte 4 nene me vdekje: Neni 1; dezertim nga ushtria; Neni 2; shkelje e betimit të shkollës së Zbulim-Kundërzbulimit; Neni 3; tradhti e lartë ndaj Atdheut dhe nxjerrje sekreti; Neni 4; kryetar grupi. Pas datës 4 janar u vendos përsëri neni 64, i shoqëruar me nene zbutëse dhe u la vetëm tradhti e lartë ndaj Atdheut).

Megjithëse, në gjyqet në grup të diktaturës, të akuzuarit “thirreshin” me njëri-tjetrin, me ne lavdi Zotit, ishte një gjyq krejt i veçantë, sidomos deponimet e mia dhe të Hekuranit, që ishin në mbrojtje të njëri-tjetrit!

Dëshmitari i parë:

… Komandanti i postës që na arrestoi bashkë me ushtarët, për çudi në sallën e gjyqit, herë na shikonte ne dhe herë trupin gjykues. Kjo e hutoi gjatë, saqë na ra në sy të gjithëve, aq sa kryetari i trupit gjykues i tërheq vëmendje dhe i thotë: – “Mos u kthe me kurriz nga ne ti, kthehu me fytyrë nga ne, jo nga të pandehurit”. Me një keqardhje të madhe që shprehej si në mimikë ashtu dhe në veprimet e tij, dëshmon para trupit gjykues të vërtetën që ndodhi atë natë.

Dëshmitari i dytë:

Esat firauni u paraqit në sallën e gjyqit si hero. Fliste paditur seç theshte, duke shprehur ligësi: -“porsa i pashë, vigjilova, vigjilova, vigjilova pas tyre dhe me vrap ika në Postë i denoncova”. Pa e pyetur kryetari i trupit gjykues, ai po vazhdonte pa pushim: “vigjilova, vigjilova” dhe tregon me gisht nga Roberti: -“ky, më kapi torbën e deshte të më merrte bukën me zor. Unë ju mata me sëpatë dhe e urdhërova ta lëshonte, ndaj ky e lëshoi torbën e bukës”! Në këtë moment Roberti ngrihet pa marrë leje nga trupi gjykues:

– “Çfarë thotë ky?! Njëqind si ky dhe i ati, nuk kanë se çfarë të më bëjnë mua”!

– “Ulu e mos fol pa leje”, – i bërtet Robertit kryetari.

Dëshmitari i tretë:

I ati i Esatit, Shabani me një dorë e një këmbë sakat dhe me një fytyrë të llahtarshme. Në ato ç’ka theshte, dukej që e kishte mësuar ai Esatin. Në datën 27 shkurt 1964, rreth orës 20 merret vendimi. Urim Elezi, dënohet me 20 vite burg, Hekuran Shyti, dënohet me 15 vite burg; Robert Morava, dënohet me 15 vite burg; Durim Shyti, dënohet me 13 vite burg.

…Pasi merret vendimi, të katërt rrimë në burgun e vjetër të Korçës, (sot, materniteti i qytetit) për gati një muaj. Detyrimisht, në qeli të ndara. Gjatë qëndrimit në këtë burg, u njoha me një grup tjetër, me moshë më të re se ne, nga fshati Mborje i Korçës dhe po këta ishin dënuar për tentativë-arratisje: Nevrus Golka, Vasil dhe Janaq Tarusha (këta dy të fundit kushërinj të parë me njëri-tjetrin). Në burgun e Korçës ishin rreth tridhjetë veta të tjerë, disa të dënuar për agjitacion e propagandë e, të tjerë për tentativë-arratisje.

Pas disa ditësh që u vendosa në burgun e Korçës, një polic i pashpirt, kriminel, që vidhte dominotë dhe ushqimet e të burgosurve, i quajtur Fuat, na fut në birucë mua dhe Vasil Tarushën, pa asnjë arsye. Biruca qe me kalldrëm të zi dhe kishte një vrimë lart, për të marrë ajër. Aty qëndrova… s’e di për sa kohë, se më kishte rënë të fikët. Pas rreth një muaj, rreth 17-18 veta, të gjithë të rinj nga burgu i Korçës, na çojnë në kampin e Uzinës së Superfosfatit Laç, për të punuar, mund të them tamam si skllevër.

Aty qëndruam rreth 1 vit e gjysëm. Me thënë të vërtetën, ishte i vetmi kamp pune që ishte ndryshe nga çdo kamp pune, si në ushqime ashtu edhe në sjellje, pavarësisht se unë, Hekurani, Petrit Kruja nga Shkodra, Zijadin Ftera nga Delvina e shumë të tjerë bëmë disa herë dënime në biruca. Këtu, në biruca të lidhnin me hekura dhe dru, por ishte më lehtë se në kampet e tjerë./Memorie.al



Të ndryshme
Më shumë