Meta ka nisur testimin e një politike të re në Facebook, e cila kufizon shpërndarjen e linkeve të jashtme nga përdoruesit që nuk kanë abonimin Meta Verified.
Sipas këtij testi të kufizuar, përdoruesit pa abonim, me çmim që nis nga 9.99 paund në muaj, mund të publikojnë vetëm dy linke të jashtme në muaj. Testimi po zbatohet për një numër të kufizuar profilesh dhe faqeve që përdorin Professional Mode, funksion i krijuar kryesisht për krijuesit e përmbajtjes për të gjeneruar të ardhura nga postimet.
Edhe pse organizatave mediatike nuk u është kërkuar pjesëmarrja në testim, ekspertët paralajmërojnë se masa mund të ulë shpërndarjen e lajmeve, duke reduktuar trafikun nga Facebook. Mediat online kanë pësuar tashmë rënie të ndjeshme të trafikut pas vendimeve të Metës për të favorizuar videot dhe përmbajtjet virale të shkurtra.
David Buttle, themelues i DJB Strategies, tha:
“Lajmet nuk janë më pjesë e strategjisë së Metës. Ky test i ri përforcon zhvendosjen e platformës nga shpërndarja falas drejt monetizimit të përmbajtjes.”
Meta deklaron se testimi synon të kuptojë nëse mundësia për të publikuar më shumë linke sjell vlerë shtesë për abonentët e Meta Verified, duke i ofruar përdoruesve shenjën e verifikimit, veçori shtesë për llogarinë dhe më shumë siguri.
Flaka