TV LIVE
Nga Vendi
18 December 2025
INTERVISTË ME DREJTORIN E SAPOEMËRUAR TË NP “KOMUNALEC” – KËRÇOVË: BOJAN STOJKOSKI

1.Si e vlerësoni gjendjen aktuale të menaxhimit të mbeturinave komunale në qytetin e Kërçovës dhe cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet NP “Komunalec”?


Si drejtor që jam në detyrë një periudhë relativisht të shkurtër, rreth 20 ditë, gjatë këtij intervali jam fokusuar kryesisht në evidentimin e gjendjes reale në terren dhe brenda vetë ndërmarrjes. Fatkeqësisht, sistemi përballet me probleme serioze të trashëguara.
Bëhet fjalë për mekanizim të vjetëruar, automjete të dëmtuara, mungesë të konsiderueshme të personelit adekuat për punë dhe transport të mbeturinave, si dhe rritje të sasisë së mbeturinave komunale.
Një nga sfidat më të mëdha është deponia që ndodhet në zonën qendrore të qytetit. Zhvendosja dhe zgjidhja e kësaj çështjeje është prioritet dhe kërkon angazhim të shtuar, si dhe bashkëpunim me Komunën e Kërçovës dhe ministritë kompetente.
Përveç kësaj, gjendja financiare e ndërmarrjes është në një situatë katastrofike. Prioriteti im i parë është vendosja e rendit, një organizimi të qartë dhe disipline, e më pas gradualisht të shkohet drejt përmirësimit të gjendjes.

 

2. A bëhet grumbullimi i mbeturinave në vendbanimet rurale dhe a ka zona ku mbeturinat grumbullohen për një periudhë më të gjatë kohore?
Po, grumbullimi i mbeturinave bëhet edhe në vendbanimet rurale, por duhet të jem i sinqertë se dinamika nuk është e kënaqshme kudo. Në këto 20 ditë të para kemi bërë inspektime në terren dhe kemi konstatuar se në shumë fshatra dhe zona periferike ekziston një grumbullim i madh i mbeturinave.
Pikërisht për këtë arsye, tashmë po bëhen korrigjime në oraret dhe në organizimin e punës, me qëllim që gradualisht të përmirësohet përfshirja dhe rregullsia e grumbullimit të mbeturinave.

 

3. Cilat masa konkrete planifikoni të ndërmerrni në periudhën e ardhshme për përmirësimin e sistemit të grumbullimit dhe deponimit të mbeturinave, veçanërisht në zonat rurale?


Në këtë periudhë fillestare fokusi është vendosur në stabilizimin e sistemit. Kjo nënkupton organizim më të mirë të brendshëm, shfrytëzim më efikas të mekanizimit ekzistues dhe detyra të qarta për ekipet në terren.
Paralelisht, kanë filluar bisedimet me Komunën e Kërçovës për furnizim me kontejnerë të rinj për mbeturina dhe automjete, ndërsa në zonat rurale do të vendoset një orar më i qartë dhe transparent për grumbullimin e mbeturinave. Këto janë hapa që mund të japin rezultate të dukshme në afat të shkurtër dhe të mesëm.

 

4. Cila është gjendja aktuale e menaxhimit të hapësirave të parkimit në Kërçovë dhe a planifikon NP “Komunalec” ndryshime apo zgjerim të kapaciteteve?
Si drejtor i ri, fillimisht po bëjmë një analizë të detajuar të gjendjes ekzistuese të hapësirave të parkimit. Jemi të vetëdijshëm se ekziston një mungesë serioze, veçanërisht në zonën qendrore të qytetit.
Aktualisht fokusi është në organizim dhe kontroll më të mirë të vendeve ekzistuese të parkimit, ndërsa për zgjerim eventual të kapaciteteve do të jetë e domosdoshme një koordinim i ngushtë me komunën dhe sigurimi i mjeteve financiare përkatëse.

 

5. Cila është gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm në qytet dhe në vendbanimet përreth?


Gjatë 20 ditëve të fundit kemi bërë inspektime edhe në sistemin e ujësjellësit. Furnizimi me ujë në pjesën më të madhe është stabil, por ekzistojnë probleme serioze të trashëguara që lidhen me rrjetin e vjetër të ujësjellësit dhe humbjet e mëdha të ujit, të cilat nuk janë zgjidhur në periudhën e kaluar.
Prioritet në këtë moment është sanimi i shpejtë i defekteve dhe kontroll më i mirë i sistemit, ndërsa për ndërhyrje më serioze do të përgatiten plane konkrete në bashkëpunim me Komunën e Kërçovës.

 



Të ndryshme
Më shumë