TV LIVE
Nga Vendi
18 December 2025
Autoritetet doganore të Shqipërisë, Moldavisë dhe RMV-së nënshkruan marrëveshjeve me tre vende të BE-së për vendkalimet kufitare

Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dëshmoi nënshkrimin e tre marrëveshjeve operacionale bilaterale që forcojnë bashkëpunimin doganor midis administratave doganore të Shqipërisë, Moldavisë dhe Maqedonisë së Veriut me Greqinë, Bullgarinë dhe Italinë. Memorandumet synojnë të zvogëlojnë kohën e pritjes në vendkalimet kufitare dhe të lehtësojnë lëvizjen e mallrave, transmeton Portalb.mk.

Memorandumet e nënshkruara mundësojnë zbatimin e mëtejshëm dhe shtrirjen gjeografike të Korridoreve të Gjelbra, duke kontribuar në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të BE-së. Ato sigurojnë një kornizë ligjore dhe teknike për shkëmbimin e avancuar, njëkahësh, elektronik të informacionit doganor për dërgesat e destinuara për BE-në, duke u mundësuar autoriteteve doganore dhe institucioneve të tjera kufitare të kryejnë analizën e riskut dhe procedurat e zhdoganimit përpara mbërritjes së mallrave në pikat e kalimit kufitar.

“>Memorandumet janë pjesë e Planit të Rritjes së Moldavisë në BE dhe iniciativës së korsive të gjelbra BE-Ballkani Perëndimor, të udhëhequr nga Komuniteti i Transportit dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA).

Tri marrëveshjet e reja ndërtohen mbi memorandumet dypalëshe ekzistuese që tashmë janë në fuqi në kufij të tjerë ndërmjet partnerëve në rajon. Dispozitat për shkëmbimin e të dhënave doganore ndërmjet BE-së dhe vendeve jashtë BE-së mund të zbatohen vetëm pasi të vendoset kuadri i nevojshëm ligjor i BE-së dhe të hyjë në fuqi Reforma e Doganave të BE-së.

Në të njëjtën kohë, BE-ja ka vënë në dispozicion edhe 54 milionë euro për të investuar në 11 pika kufitare prioritare, duke siguruar një tranzit më të lehtë të mallrave. Ky është një hap konkret në integrimin gradual të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së, siç parashikohet në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, të miratuar në vitin 2023.

Krijimi i Korsive të Gjelbra në kufijtë me BE-në, e afron rajonin me BE-në. Këto lloj kalimesh janë një hap drejt menaxhimit edhe më të mirë të kufijve dhe çojnë në uljen e kohës së pritjes për udhëtarët dhe mallrat.

Në rajon, korsia e parë prioritare për kamionë, e dedikuar për Korridoret e Gjelbra në Ballkanin Perëndimor, u hap në pikën kufitare Preshevë–Tabanovc, ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo korsi shërben si korridor i gjelbër për listën e mallrave prioritare të dakorduara. Krijimi i një sistemi funksional në këtë pikë kalim u lehtësua nga i ashtuquajturi modeli “one-stop-go”, i prezantuar në vitin 2021 dhe që tani është në funksion në të dy drejtimet. Kohët e pritjes janë zvogëluar, ndërsa eksporti, importi dhe tranziti i mallrave janë përshpejtuar.

Në vitin 2022, pika e parë kufitare e Korridorit të Gjelbër ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së u bë funksionale mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shkëmbimi i informacionit para mbërritjes me Greqinë lejon vlerësime të synuara të rrezikut dhe kontrolle më të shpejta. Kjo hapi mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të iniciativës së Korridoreve të Gjelbra edhe ndaj vendeve të tjera anëtare të BE-së.



Të ndryshme
Më shumë