Më 17 dhjetor 2025 shënohen 291 vjet nga themelimi i Seminarit Arbëresh të Palermos, i njohur gjithashtu si Seminari Italo-Shqiptar – qendra e parë albanologjike në botë.
Ky institucion u themelua në vitin 1734 në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), pranë Palermos në Sicili, nga arbëreshi i shquar Gjergj Guxeta (Giorgio Guzzetta). Drejtuesi i parë, në rolin e rektorit, ishte Pjetër Andrea me origjinë nga Himara, i cili e udhëhoqi seminarin për 10 vjet radhazi.
Seminari shërbeu si një vatër e rëndësishme arsimore, edukative dhe kulturore, duke ruajtur dhe kultivuar gjuhën shqipe, ritin bizantin dhe traditat arbëreshe. Në të u edukuan breza intelektualësh, shkrimtarësh dhe poetësh të shquar arbëreshë, duke dëshmuar vendosmërinë për të mbajtur gjallë trashëgiminë shqiptare ndër shekuj.
Shpesh i quajtur edhe “Seminari grek” për shkak të ritit bizantin të pranuar nga arbëreshët, institucioni ndodhet në qendrën historike të Palermos, përballë ndërtesës së postës qendrore, midis rrugës Via Seminario Italo-Albanese dhe sheshit Piazza Padre Giorgio Guzzetta.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët ka kujtuar këtë përvjetor si një moment për të nderuar kontributin e pazëvendësueshëm të seminarit në historinë dhe kulturën arbëreshe.