Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka zhvilluar një takim të frytshëm me kryetarin e sapozgjedhur të Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, ku në fokus kanë qenë projektet e përbashkëta që synojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërkufitar dhe ta afrojnë më shumë Dibrën me Shqipërinë informon Tetovasot.
Sipas ambasadorit Meidani, biseda u përqendrua te projekti “One Stop Shop”, një nismë që pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve, shkëmbimet ekonomike dhe komunikimin mes dy komuniteteve në zonën kufitare.
“Ky hap do t’i japë një dinamikë të re ekonomisë dhe do të krijojë kushte më të favorshme për lëvizje dhe bashkëpunim”, theksoi Ambasadori Meidani.
Në takim u diskutua edhe për nisma kulturore, arsimore dhe aktivitete që ruajnë e promovojnë identitetin dibran, duke përfshirë mbështetjen për diasporën, e cila sipas ambasadorit “luan një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës, traditës dhe lidhjes me atdheun” raporton Tetovasot.
Meidani falënderoi kryetarin Mela për librat e dhuruar mbi Dibrën dhe Skënderbeun, duke i cilësuar “një kujtesë të çmuar për rrënjët dhe figurat që na formësojnë”.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve institucionale dhe kulturore mes Dibrës dhe Shqipërisë.