Në një intervistë ekskluzive për CIVIL Media, Prof. Dr. Stevo Pendarovski, ish-President i Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cilëson si shqetësuese rritjen e ndikimit ruso-serb në rajon dhe në vend, por thekson se ky ndikim nuk po shtyhet drejtpërdrejt nga Beogradi.
“Nga Serbia nuk ka presion të qartë që ne të futemi në botën serbe. Problemi është se disa struktura politike në vend duan vetë të jenë pjesë e asaj bote,” deklaron Pendarovski, përcjell PressOnline.al
Ai shpjegon se koncepti i “botës serbe”, i ndërtuar sipas modelit të botës ruse, bazohet në identitet etnik, gjuhë dhe ndikim kishtar – elemente që nuk përputhen me realitetin demografik dhe kulturor të Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, sipas tij, përfshirja e vendit në këtë sferë ndikimi po bëhet e mundur nga brenda.
“Kur ke një zëvendëskryeministër që hapur punon kundër NATO-s dhe BE-së, kjo nuk është figurë margjinale. Këta aktorë ndikojnë në orientimin strategjik të shtetit,” thekson ish-presidenti.
Ai rikujton edhe rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian, e cila paralajmëron për rritjen e ndikimit ruso-serb në Maqedoninë e Veriut, duke lidhur këtë rrezik me vendimmarrës specifikë të qeverisë aktuale.
Pendarovski nënvizon se Maqedonia e Veriut përfiton qartë nga anëtarësimi në NATO, veçanërisht në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, dhe paralajmëron se politikat e dyfishta mund të dëmtojnë seriozisht sigurinë kombëtare.
“Nuk mund të jesh deklarativisht pro NATO-s dhe njëkohësisht të flirtohesh me botën serbe apo ruse. Kjo nuk ndodhte para vitit 2024,” thotë ai.
Sipas Pendarovskit, orientimi gjeopolitik nuk është çështje që duhet lënë tek popullata e gjerë, por përgjegjësi e elitës politike që udhëheq vendin.