Pentagoni ka konfirmuar një tjetër sulm në ujërat e Paqësorit, ku ushtria amerikane goditi një anije të dyshuar për transport narkotikësh, duke vrarë katër persona.
Sulmi u krye nga Task Forca e Përbashkët “Southern Spear”, ndërsa videoja e operacionit u publikua nga Komanda Jugore e SHBA.
Sipas deklaratës zyrtare, anija ndodhej në ujëra ndërkombëtare dhe dyshohet se i përkiste një organizate të shpallur si terroriste. Inteligjenca amerikane pretendon se mjeti lundrues po lëvizte përgjatë një rruge të njohur të trafikut të drogës.
Ky ishte sulmi i 22-të që nga muaji shtator në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor, duke e çuar numrin e të vrarëve në të paktën 87 persona.
Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë po përballen me presion politik, sidomos pas një raportimi të “Washington Post”, që pretendonte se sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i kishte urdhëruar trupat të “vrisnin të gjithë” gjatë një operacioni në shtator. Admirali që drejtoi sulmin ka mohuar ekzistencën e një urdhri të tillë.
Ndërsa administrata amerikane argumenton se këto operacione janë pjesë e një “lufte kundër trafikantëve të drogës”, shumica e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare e kontestojnë këtë arsyetim, duke thënë se sulmet jashtë zonave të konfliktit mund të jenë të paligjshme.
Klan News
/tvklan.al