TV LIVE
Teknologji
5 December 2025
Mashtrimet online, Tajvani bllokon aplikacionin kinez RedNote

Tajvani ka vendosur të bllokojë për një vit aksesin në aplikacionin kinez të rrjeteve sociale RedNote (i njohur edhe si Xiaohongshu), pas shqetësimeve për mashtrime në blerjet online.

Byroja për Hetime Kriminale e Tajvanit njoftoi të enjten se që nga viti i kaluar janë regjistruar mbi 1 mijë e 700 raste mashtrimi, me humbje totale mbi NT$247 milion (rreth 7.9 milionë dollarë).

RedNote është një platformë e ngjashme me TikTok, por me funksione të integruara blerjeje. Furnizuesit e internetit janë urdhëruar të bllokojnë aksesin, duke prekur të paktën tre milion përdorues. Për përdoruesit, aplikacioni shfaq mesazhin se nuk është i disponueshëm për shkak të “kufizimeve të sigurisë”.

Shkak për ndalimin janë bërë rastet e shumta të mashtrimeve dhe dështimi i operatorëve për të përmbushur standardet e sigurisë së të dhënave. Operatorët nuk kanë zyrë lokale dhe nuk kanë përgjigjur kërkesave të autoriteteve për një plan për përmirësimin e masave të sigurisë kibernetike.

Xiaohongshu, e lançuar në 2013, ka qindra miliona përdorues në mbarë botën dhe është veçanërisht popullore në Azi. Popullariteti i saj u rrit këtë vit pasi përdoruesit amerikanë kërkonin alternativa ndaj TikTok-ut, pas kërcënimeve të qeverisë amerikane për të ndaluar platformën kineze.

Vendimi i Tajvanit vjen ndërsa rriten shqetësimet për përdorimin e rrjeteve sociale nga Pekini për të formuar opinionin publik në favor të Kinës dhe për të përhapur dezinformacion. Kina e konsideron Tajvanin si provincë të shpërbërë që do të rikthehet nën kontrollin e saj dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për këtë qëllim.

Gjithashtu, Xiaohongshu ka hasur presion nga rregullatorët kinezë, të cilët në shtator kërkuan “ndëshkim të rreptë” për drejtuesit e firmës për postime të konsideruara negative në platformë.

/tvklan.al



Të ndryshme
Më shumë