Neymar i dha një fitore jetike Santos-it në luftën për mbijetesë në Brasileirão, duke shënuar një “hat-trick” në fitoren 3-0 ndaj Juventude-s të mërkurën.
Pavarësisht se luante me dëmtim në gju, ylli brazilian realizoi tre gola brenda 17 minutash në pjesën e dytë, duke siguruar një triumf të rëndësishëm për ekipin e tij. Sipas ESPN Brasil, 33-vjeçari pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje artroskopike pas përfundimit të sezonit, për të trajtuar një problem në meniskun e gjurit të majtë.
Neymar ka zhvilluar dy ndeshjet e fundit të Santos-it duke ndjekur trajtim konservativ për të menaxhuar dhimbjet, sipas burimeve.
“Hat-trick”-u i së mërkurës ishte i pari për të që nga prilli i vitit 2022, kur kishte shënuar tre gola për Paris Saint-Germain kundër Clermont. Ai zhbllokoi sfidën në minutën e 56 pas një kundërsulmi të shpejtë, dyfishoi pas një krosimi nga Igor Vinícius dhe kompletoi tripletën nga pika e penalltisë, pak para se të zëvendësohej në minutën e 83.
Fitorja e çon Santos-in dy pikë larg zonës së rënies, me vetëm një ndeshje të mbetur. Në fundjavë, skuadra do të përballet me Cruzeiro-n në Vila Belmiro, ku një fitore do të vuloste qëndrimin në elitën e futbollit brazilian.
Juventude, tashmë e rënë matematikisht, regjistroi humbjen e katërt radhazi.
Megjithëse ka vuajtur shumë dëmtime sezonet e fundit, Neymar shpreson ende të jetë pjesë e Brazilit në Botërorin e verës së ardhshme. Trajneri Carlo Ancelotti ka deklaruar se sulmuesi ka shanse reale të grumbullohet, nëse rikuperohet plotësisht.
Goli i parë i Neymar (Video)
Goli i dytë i Neymar (Video)
Goli i tretë i Neymar (Video)