TV LIVE
Nga Bota
2 December 2025
“Dorëhiquni, mafia!” - Parashikohet rritje taksash, protestë masive kundër buxhetit në Bullgari

Dhjetëra mijëra qytetarë protestuan mbrëmjen e kaluar në kryeqytetin bullgar dhe në mbi një duzinë qytete të tjera, në një nga demonstratat më të mëdha të viteve të fundit. Turmat kërkuan tërheqjen e buxhetit të ri për vitin 2026 dhe dorëheqjen e qeverisë së pakicës të kryeministrit Rosen Zhelezkov.

Sheshi para Asamblesë Kombëtare në Sofje u mbush me rreth 50,000 protestues, sipas agjencisë BTA

Demonstruesit mbanin flamuj bullgarë e evropianë, brohorisnin “Dorëheqje!” dhe projektonin fjalët “Dorëheqje” dhe “Mafia” në fasadat e ndërtesave shtetërore. Mes pankartave binin në sy “Gjenerata Z po vjen” dhe “Bullgaria e Re pa mafien”.

Protestuesit kundërshtojnë buxhetin e vitit 2026, i cili parashikon rritje taksash dhe kontributesh për sigurimet shoqërore, duke akuzuar qeverinë për shkelje të premtimeve. Pakënaqësia u nxit gjithashtu nga perceptimi i lartë i korrupsionit në sektorin publik — një problem që prej vitesh e mban Bullgarinë ndër vendet më të korruptuara të BE-së.

Ndërsa protesta qendrore ishte tërësisht paqësore, tensionet shpërthyen pas përfundimit të saj. Disa grupe u përplasën me policinë, duke hedhur gurë, shishe dhe fishekzjarre. Sipas BTA-së, kazanëve të plehrave iu vu flaka, një furgon policie u dëmtua, dhe dëmtime u raportuan në zyrat e partisë në pushtet dhe të një partie aleate.

Policia u kundërpërgjigj me sprej piperi dhe arrestoi të paktën dhjetë persona, ndërsa dy oficerë u plagosën. Presidenti bullgar Rumen Radev dënoi dhunën dhe u bëri thirrje të dyja palëve për vetëpërmbajtje.

Ai përsëriti kërkesën e tij për dorëheqjen e qeverisë, duke deklaruar se “ka vetëm një rrugëdalje: dorëheqja dhe zgjedhjet e parakohshme”.

https://twitter.com/i/status/1995588075297075549



Të ndryshme
Më shumë