Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se përzgjedhësi i deritanishëm i Kombëtares U21, Afrim Tovërlani, është liruar nga detyra me kërkesë të tij dhe me marrëveshje të dyanshme, për t’u angazhuar si kryetrajner te FC Prishtina.
“FFK i shpreh falënderimet më të sinqerta Tovërlanit për punën e palodhshme dhe korrektësinë profesionale gjatë viteve të angazhimit në Kombëtaren U21, duke kontribuar në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe forcimin e ekipit”, shkruhet në postimin e FFK-së
Nga tani, përgjegjësinë e përzgjedhësit të Kombëtares U21 do ta marrë Hekuran Kryeziu, i cili deri më tani ka qenë ndihmëstrajner i Tovërlanit.
Kryeziu, me një karrierë të bujshme si futbollist, si në nivel klubesh, por po ashtu edhe me fanellën e Kombëtares dardane, do të vazhdojë punën bashkë me pjesën tjetër të stafit të trajnerëve, me synimin e vazhdimësisë së rezultateve pozitive dhe stabilitetit në ekipin kombëtar U21./Indeksonline/