Shpat Kasapi, këngëtar i njohur shqiptar, ka ndërruar jetë papritmas si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa ndodhej në Itali.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur fansat dhe komunitetin e muzikës shqiptare. Shpat Kasapi la pas djalin e tij, Roar, nga ish-bashkëshortja Selvije Jao.
I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, Shpati u rrit në një familje me traditë muzikore – babai, Naim Kasapi, dhe nëna, Gjylymsere Ramadani, nga Tetova.
Talenti i tij për muzikën u zbulua që në moshë të re. Në moshën 13-vjeçare, ai fitoi çmimin e parë në festivalin Bletëzat 98 në Tetovë. Sukseset e tij në këngën për të rinjtë hapën rrugën për karrierën si këngëtar i muzikës për të rritur, me pjesëmarrje dhe çmime të rëndësishme si:
-Këngët e Stinës 2002 – Çmimi i parë në Tiranë
-Nota Fest 2003 – Çmimi i publikut në Shkup
-Albafest 2003 – Çmimi i publikut në Shkup
Karriera e tij vazhdoi me shumë suksese në festivale dhe çmime të tjera, përfshirë Pop Idoll 2004, Kënga Magjike 2004 dhe 2005, Top Fest 1, si dhe Zhurma Show Awards, ku mori çmime për interpretimin dhe videoklipe të suksesshme si “Pa ty s’jetoj” dhe “Mekatare”.
Përmes zërit të tij të veçantë, Kasapi, u bë i njohur dhe vulosi suksesin e tij me disa këngë që u kthyen hit, si ‘Valle Kosovare’ apo dhe ‘Axhamiu’, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj”, “Kush të ndau prej meje”.
Shpat Kasapi realizoi disa albume të suksesshme dhe një sërë videoklipesh, duke bashkëpunuar me kompozitorë të njohur si Avni Qahili, Artan Kastrati, Ejup Shabani dhe Florent Boshnjaku. Për pamjen dhe look-un e tij gjatë videoklipeve kujdeset shpesh Armend Ramadani.
Shpat Kasapi do të mbahet mend si një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të muzikës pop shqiptare, me këngë që u shndërruan në hite dhe që do të jetojnë gjatë në zemrat e publikut.