Poeti dhe publicisti Sevdail Demiri dhe shkrimtari Resul Shabani janë fituesit e çmimit shtetëror “22 Nëntori” të cilët u ndanë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.
Profesori Sevdail Demiri për Portalb.mk tha se për atë, ky çmim është nder i veçantë, por edhe një përgjegjësi e re morale për të vazhduar me përkushtim rrugën që i shërben kulturës, arsimit, shkencës dhe publicistikës shqiptare.
“Për ne shqiptarët ky është çmimi i vetëm shtetëror që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me identitetin tonë kombëtar, gjuhësor e kulturor, prandaj për të gjithë fituesit e këtij çmimi, përbën një privilegj të veçantë dhe në njëjtën kohë një përgjegjësi të re morale dhe institucionale. Pa dyshim që ky çmim paraqet një kurorëzim të një pune të gjatë timen afër tridekadëshe në disa sfera publike të rrafshit identitar. Ndërsa, marrë parasysh moshën time ende aktive për punë, ky çmim paraqet edhe një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin tim edhe më me përkushtim në fushën e kulturës, arsimit, shkencës dhe publicistikës. Studiuesit e rinj duhet të punojnë çdo ditë, çdo orë e çdo sekondë për arritjen e objektivave të tyre kërkimore-shkencore. Ashtu edhe artistët e rinj, shkrimtarët dhe veprimtarët në fusha të ndryshme të kulturës. Mirënjohjet dhe shpërblimet nuk vijnë ad-hok, por si rezultat i një impakti të caktuar shoqëror të punës serioze përkushtimore. Vlerësimi dhe shpërblimi i mundit gjithmonë vijnë në kohën e duhur,”, tha Demiri.
Shkrimtari Resul Shabani për Portalb.mk tha se çmimi 22 Nëntori nuk është thjeshtë një mirënjohje formale, por vetë çmimi me më së shumti peshë, sepse lidhet me një nga datat më të shenjta të historisë kulturore e kombëtare.
“Për mua, dhe për të gjithë ata që kanë pasur nderin ta kenë marrë, apo ata që do kenë fatin ta marrin, është, jo njëri nga çmimet, por vetë çmimi më me peshë, pasi, në rend të parë, mban titullin e njërës nga datat më të shenjta të historisë sonë kulturore, dhe në përgjithësi të historisë sonë kombëtare. Kjo mirënjohje nuk mund të jetë një akt formal, por një vlerësim për kontributin që laureati ka dhënë në pasurimin dhe afirmimin e vlerave kulturore-letrare të kombit. Natyrisht që është edhe përgjegjësi morale për ta kontrolluar atë që do bësh në të ardhmen, dhe sjelljen ndaj pasurisë sonë të përgjithshme kulturore. Nëse tek mosha ime ka qëllimin e vetëm, ta evidentojë kontributin, por nuk ndikon tek nxitja për të bërë diçka ndryshe, tek të rinjtë ndikon dhe duhet të ndikojë për të shtuar vullnetin për të krijuar vepra, jo vetëm të reja, por edhe konkurruese me vlerat e verifikuara të kolegëve më të vjetër të penës. Çmimin duhet ta pranojnë si stimul. Është fakt i pamohueshëm se të rinjtë kanë nevojë jo vetëm për ndihmë “profesionale”, por edhe për ndihmë materiale, pra për mjete financiare për botimet e tyre, se dihet që ata e çajnë rrugën më me vështirësi, se ne që kemi një përvojë më të gjatë. Pastaj nuk mjafton vetëm ndihma e botimit, por libri i krijuesve të rinj ka nevojë edhe për afirmim, mos them, reklamim. Kërkon promovim, kërkon librari etj. Prandaj çmimi për penat e reja ka rëndësi të shumëfishtë”, tha Shabani.
Çmimi shtetëror”22 Nëntori”, u jepet si mirënjohje njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndër-njerëzore dhe mirëkuptimin e ndërsjellë midis pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme, kulturore dhe fetare në vend.
Në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, 22 nëntori është festë shtetërore për nder të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqip.