TV LIVE
Nga Bota
22 November 2025
Rritet në 31 numri i të vdekurve nga rrëshqitjet e dheut në Indonezi, vazhdojnë kërkimet për 20 të zhdukur

Numri i viktimave nga rrëshqitjet e dheut në dy rajone të Indonezisë është rritur në 31, ndërsa kërkimet për 20 persona të zhdukur ende po vazhdojnë, njoftuan sot autoritetet lokale, transmeton Anadolu.

Në fshatin Pandanarum, në rajonin Banjarnegara të provincës Java Qendrore, 18 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa autoritetet kanë gjetur dhjetë trupa, raportoi agjencia shtetërore “Antara News”, duke cituar Budiono-n, kreun e ekipit të përbashkët të kërkim-shpëtimit në Semarang. Semarangu është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i provincës Java Qendrore.

Budiono shtoi se janë gjetur edhe dy pjesë trupi të paidentifikuara.

Në një rrëshqitje tjetër dheu në rrethin Majenang, në rajonin Cilacap, po ashtu në Javën Qendrore, ekipet e kërkimit kanë gjetur 21 trupa, ndërsa dy persona vazhdojnë të jenë të zhdukur pas katastrofës së javës së kaluar, tha agjencia.

Në operacionin e përbashkët të kërkim-shpëtimit janë angazhuar rreth 500 efektivë për të gjetur viktimat e zhdukura në Pandanarum, ndërsa dhjetëra të tjerë po punojnë në rrethin Majenang.

Ndërkohë, përmbytje të mëdha dhe reshje të dendura shiu vazhduan sot në Songkhla, në jugun e Tajlandës, e cila ka regjistruar 595 milimetra shi gjatë tri ditëve të fundit, tha “Bangkok Post”.

Autoritetet paralajmëruan banorët në 103 komunitete që të përgatiten për evakuim të mundshëm për shkak të përkeqësimit të përmbytjeve. Të premten, zyrtarët shpallën shtatë rrethe si zona emergjente fatkeqësie, pasi pothuajse 45 mijë persona janë prekur.



Të ndryshme
Më shumë