Drejtori i Qendrës së Gjuhëve i Universitetit të Tetovës mori pjesë në Forumin e 14-të Multidisiplinar Euroaziatik (EMF 2025), i cili u mbajt më 20–21 nëntor 2025 në Universitetin “Grigol Robakidze” në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Në këtë forum ishin të pranishëm studiues, profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim të shkëmbimit akademik dhe nxitjes së bashkëpunimeve në nivel global.

Në kuadër të sesionit “Reforma e arsimit dhe inovacioni në mësimdhënie”, Prof. Dr. Isa Spahiu prezantoi studimin e tij me titull: “Ndikimi i të mësuarit bashkëpunues të fokusuar te studenti në arritjen e gjuhës angleze në shkollat e mesme të Maqedonisë.”
Punimi u prit me interes të veçantë për qasjen e tij inovative dhe për rezultatet që theksojnë rëndësinë e metodave bashkëpunuese në procesin e të nxënit të gjuhëve të huaja.
Në këtë veprimtari me karakter global, u trajtuan edhe tema të tjera me rëndësi aktuale në fushën e arsimit, si: Një kornizë e re e qeverisjes së shkollave publike që integron paradigma demokratike, neoliberale dhe holistike të arsimit; Transformimi digjital në arsim si një nxitës për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm: rasti i Gjeorgjisë; Konvergjenca dhe divergjenca: asimetria në sistemet e arsimit të lartë të Gjeorgjisë dhe Evropës; Hetimi i ndikimit të normave kulturore në sjelljen e konsumatorëve në një mjedis të digjitalizuar të marketingut etj.

Forumet e tilla vazhdojnë të jenë një hapësirë e rëndësishme për promovimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimeve ndëruniversitare, duke kontribuuar në zhvillimin e arsimit dhe inovacionit kudo në botë.