TV LIVE
ShowBiz
21 November 2025
Këngëtarja Adelina Thaçi i bashkohet LDK-së

Adelina Thaçi Meta, një nga zërat më të njohur dhe më të respektuar të skenës muzikore shqiptare, i është bashkuar sot Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njoftoi kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

Me mbi dy dekada karrierë të suksesshme në muzikën klasike dhe atë moderne, Adelina është soprano profesionale, këngëtare e njohur e muzikës pop dhe profesoreshë me përvojë të gjatë në vokal. Ajo ka qenë soliste e Filharmonisë së Kosovës për më shumë se një dekadë dhe ka mësuar solo-këndim për 23 vite. Aktualisht, ajo ligjëron në universitete lëndët Teknikë Vokale, Diksion dhe Repertor.

Adelina ka shkëlqyer edhe në skenën ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me dirigjentë të njohur dhe duke interpretuar në role të rëndësishme, përfshirë duetin “Dolce Suono” me tenorin me famë botërore José Carreras. Ajo ka përfaqësuar Kosovën në festivale në Kroaci, Itali, Gjermani dhe SHBA.

Në muzikën pop, Adelina ka fituar shumë çmime të para në festivale prestigjioze në Kosovë dhe Shqipëri, ka tri albume dhe dhjetëra këngë dhe videoprojekte të suksesshme. Ajo gjithashtu ka themeluar Ansamblin Vokal “Zanat”, duke kontribuar në rritjen e brezave të rinj të artistëve dhe promovimin e kulturës shqiptare.



Të ndryshme
Më shumë