Një pikturë e rrallë e mjeshtrit austriak Gustav Klimt ka thyer çdo rekord këtë javë, duke u shitur për mbi 200 milionë dollarë dhe u shpall vepra moderne më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand.
Piktura “Portreti i Elisabeth Lederer” u shit për 236.4 milionë dollarë, duke shkaktuar duartrokitje e habi gjatë një gare 20-minutëshe mes blerësve. Kjo është vepra më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s në nivel global.
Portreti i vajzës së një prej familjeve më të rëndësishme patrone të Klimt u shpëtua rastësisht nga shkatërrimi gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi u nda nga disa vepra të tjera të artistit që u dogjën në kështjellën Immendorf të Austrisë. Për këtë arsye, vepra konsiderohet një nga pak mundësitë e mbetura për të blerë një portret kaq të rëndësishëm të mjeshtrit austriak.
Piktura vinte nga koleksioni personal i Leonard A. Lauder, trashëgimtar i Estée Lauder, i cili u nda nga jeta më herët këtë vit. Koleksioni i tij arriti 527.5 milionë dollarë, shumë më tepër se vlerësimi fillestar.
Në të njëjtin ankand, u shitën me çmime të larta edhe një pikturë e Edvard Munch për 35.1 milionë dollarë dhe një peizazh tjetër i Klimt për 86 milionë dollarë.
Një nga veprat më kurioze të ankandit ishte skulptura “America” e artistit provokues Maurizio Cattelan – një tualet funksional prej 220 paundësh ar prej 18 karatësh. Megjithëse çmimi nisës u vendos sipas vlerës së arit (rreth 10 milionë dollarë), vepra mori vetëm një ofertë të vetme, nga një “markë e njohur amerikane”, dhe u shit për 12.1 milionë dollarë me tarifa.
Skulptura është motra e versionit famëkeq që u ekspozua në Guggenheim dhe u vodh më pas nga Blenheim Palace ende e pagjetur.
Sotheby’s shpreson që gjatë javës të kalojë shifrën 1 miliard dollarë, me një seri veprash të mëdha nga Basquiat, Yves Klein, Matisse, Cecily Brown dhe Jeff Koons. Interes të madh shkaktoi edhe ekspozimi i WC-së së artë të Cattelan, vendosur në një banjë të vogël të rregulluar posaçërisht në katin e katërt të godinës.