TV LIVE
Nga Rajoni
17 November 2025
Shqipëria dhe Kosova bashkojnë forcat, ushtrimi i përbashkët ajror, sinjal për rajonin dhe NATO-n!

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka bërë të ditur se pilotët e Forcës Ajrore shqiptare dhe ata të Forcës së Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë një trajnim të përbashkët, me synimin për të rritur gatishmërinë dhe sigurinë operacionale.

Në terren, pilotët e të dy shteteve shqiptare po shkëmbejnë përvoja mbi menaxhimin e situatave emergjente, një proces që, sipas kapitenit Pirro Vengu, po u mundëson të mësojnë mënyra më efikase reagimi në operacione të ndërlikuara.

“Prezenca këtu na bën që të bëjmë shkëmbimin e përvojave dhe na mëson se si duhet të reagojmë në rast të emergjencave apo operacioneve”, tha Pirro Vengu.

Ky ushtrim i përbashkët nënvizon jo vetëm rritjen e profesionalizmit brenda forcave respektive, por edhe rëndësinë gjithnjë e më të madhe të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e sigurisë—një partneritet strategjik që po shndërrohet në një shtyllë të qëndrueshmërisë rajonale.

Dashevci: Sinjal i gjerë i bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare

E për këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.

ImageArben DashevciFoto galeri
Së pari, ai u shpreh se bashkëpunimi mes ushtrisë së Kosovës dhe Shqipërisë është shumë i rëndësishëm dhe ndikon pozitivisht në aspektin e sigurisë.

“Pilotët e Forcës Ajrore të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës janë angazhuar gjithmonë në trajnimin e përbashkët për rritjen e gatishmërisë operacionale dhe kjo është shumë e rëndësishme në aspektin e mbrojtes dhe sigurisë në përmbushjen e kapaciteteve tê plota operacionale për FSK.

Dhe unë mendoj që këto kapacitete do të përmbushen në plotni deri nē vitin 2028”, deklaroi ai.

Sipas Dashevcit, ky aktivitet Teknik-ushtark jëp sinjal se shtetet shqiptare po veprojnë në koordinim së bashku.

“Është një aktivitet teknik-ushtarak, por është edhe një sinjal më i gjerë i bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare, sepse veprohet bashkarisht kundrejt çdo sfide pa marrë parasysh nga kush vjen”.

Ndër të tjera, eksperti shtoi se ky bashkëpunim ushtarak mes Kosovës dhe Shipërisë është shumë i rëndësishëm, marrë parasysh edhe zhvillimet që po ndodhin në nivel global sa i përket sigurisë.

“Roli dhe bashkëpunimi në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të besimit reciprok është krucial në këto turbullira të sigurisë globale sepse veprohet si një trup i vetëm kundrejt kërcënimeve të mundshme që mund të paraqiten.

Xhavit Haliti: Askush nuk e ka pyetur Albin Kurtin ta pranojë Asociacionin…

Shteti ynë amë vazhdimisht ka dhënë kontributin maksimal për FSK në çdo aspekt dhe vetëm kështu duhet të vazhdohet me profesionalizëm dhe koordinim të përbashkët si një trup i vetëm”, përmbylli Arben Dashevci për “Bota sot”.

Gecaj: Ky nuk është vetëm një ushtrim teknik!

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Hysen Gecaj stërvitjet e ushtrive shqiptare i vlerëson si një zhvillim dinamik e strategjik.

Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” tha se ky aktivitet vjen në një kohë kur siguria rajonale po sfidohet me tensione të ndryshme.

“Angazhimi i pilotëve të Forcës Ajrore të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në një trajnim të përbashkët nuk është thjesht një aktivitet teknik-ushtarak. Ky zhvillim duhet parë si pjesë e një dinamike më të gjerë të afrimit strategjik mes dy shteteve shqiptare, në një moment kur siguria rajonale po sfidohet nga tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe nga krizat globale”.

Këtë bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë, e analizoi në tre aspekte.

Ndër të tjera, ai tregoi se ky është sinjal i qartë që ushtritë e dy shteteve shqiptare janë gjithmonë në koordinim me NATO-n.

“Së pari, autorizimi për një bashkëpunim të tillë është vetvetiu politik: Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndërsa Kosova ndërton gradualisht kapacitetet e saj mbrojtëse. Trajnime të tilla krijojnë standardizim, ndërveprueshmëri dhe një kulturë të përbashkët operacionale – elementë që i afrojnë institucionet ushtarake të dy vendeve në mënyrë organike.

Së dyti, ky aktivitet përforcon besimin reciprok. Në rajonin tonë, ku perceptimet e rrezikut dhe sfidat e sigurisë shpesh ndikohen nga faktorë etnikë e politikë, bashkëpunimet konkrete, profesionale dhe të vazhdueshme krijojnë garanci që asnjë zhvillim i jashtëm nuk mund të dobësojë partneritetin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Së treti, ka edhe një dimension simbolik: është një sinjal i qartë për partnerët perëndimorë se dy vendet shqiptare veprojnë në frymën e stabilitetit dhe të ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse moderne, gjithmonë në koordinim me NATO-n dhe me partnerët kryesorë”, shtjelloi ai.

Gjithashtu, shtoi se ky nuk është vetëm një ushtrim teknik, por hap i thellë strategjik dhe forcim i marrëdhëieve ushtarake.

“Në perspektivë afatgjatë, bashkëpunime të tilla mund të shërbejnë si bazë për planifikime të përbashkëta operacionale, qendra të përbashkëta stërvitore, përafrim të doktrinave dhe zhvillim të programeve të përbashkëta të armatimit.

Përfundimisht, ky nuk është vetëm një ushtrim teknik. Është një gur tjetër i rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë së dy shteteve shqiptare, një hap praktik drejt integrimit më të thellë strategjik dhe një investim i qartë për forcimin e marrëdhënieve politike, ushtarake dhe të besimit afatgjatë”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.



Të ndryshme
Më shumë