Disa ditë para marshit për drejtësi që do të mbahet të shtunën, më 15 nëntor, iniciativa “Kush është i radhës” realizoi një aksion gueril në disa lokacione të qendrës së Shkupit, duke dërguar mesazhe të fuqishme për përgjegjësi dhe ndërgjegje shoqërore.
Në monumentet pranë “Ibni Pajko” dhe në pika të tjera qendrore, aktivistët vendosën pankarta tek përmendoret e nënave duke shkruar:
“Nuk ka ujë që do ta lajë fajin tuaj”,
“Drejtësi për Koçanin”,
“Kur nënat janë të veshura në të zeza, ndërgjegjja nuk ka zgjedhje”,
“Nënat e veshura në të zeza janë pasqyra e heshtjes sonë”.
Përmes këtij aksioni simbolik, iniciativa kërkon që opinioni publik të mos harrojë 63 jetët e humbura në zjarrin tragjik në disko “Puls” në Koçan, ndërsa apelon për mbështetje të prindërve në kërkimin e drejtësisë.
Në publikimin e tyre në rrjete sociale, aktivistët kanë cituar edhe vargje të poetit maqedonas Vanço Nikoleski:
“Qajnë nëna të mbuluara me të zeza,
qytetet e bardha qëndrojnë të grabitura,
fshatrat digjen në flakë…”
Duke e shoqëruar me mesazhin se “heshtja është bashkëfajtore në çdo padrejtësi”, “Kush është i radhës” paralajmëron “Marshin e engjëjve” që do të mbahet të shtunën në orën 12:05, nga Sheshi Maqedonia.
Marshi do të kalojë pranë Kuvendit dhe do të përfundojë para Gjykatës Themelore Penale, katër ditë para nisjes së procesit gjyqësor për tragjedinë në Koçan.
Prindërit e viktimave pritet sërish të kërkojnë përgjegjësi, transparencë dhe drejtësi, ndërsa qytetarët thirren të bashkohen në këtë marsh./VOXAL/