Faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka publikuar një video motivuese para përballjes së madhe të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovenisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Dardanët janë para një përballje vendimtare në udhëtim te Sllovenia, ndeshje e cila pritet të zhvillohet të shtunën në “Stadion Stožice” të Lubjanë, me fillim nga ora 20:45.
Për ekipin e Franco Fodas një barazim do ta siguronte vendin e dytë në Grupin B apo automatikisht një vend në ‘play-off’ për kualifikim për Kampionatin Botëror 2026.

Entuziazmi për këtë arritje është i madh te secili qytetar i Kosovës dhe për ta bërë këtë ndeshje edhe më të zjarrtë është përkujdesur faqja zyrtare e FFK-së duke postuar një video motivuese.
“Bashkë të pathyeshëm”, është fjalia e shkruar mbi një video të bukur, e cila sjell pamje të dy fitoreve të Kosovës ndaj Suedisë, por edhe festën dhe atmosferën e tifozëve kosovarë në stadium.
“Besa-besë, besën e kem dhanë, për Kosovë jetën dojmë me dhanë”, është kënga e cila e shoqëron dhe e bënë edhe më rrëqethëse këtë video.
Ndryshe, pas takimin me Slloveninë, Kosova do ta pres Zvicrën të martën në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë. /Telegrafi/