TV LIVE
Nga Vendi
12 November 2025
RMV dhe BEI nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, do të hapet një zyrë përfaqësuese e BEI-së në RMV

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve, Rober de Grot, nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim përmes së cilës në vendin tonë të hapet një zyrë përfaqësuese të BEI-së. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, tha se ky akt paraqet një hap të rëndësishëm në përforcimin dhe avancimin e partneritetit mes RMV-së dhe  institucioneve evropiane në fushën ekonomike. Angazhimi i kësaj qeverie, sipas Mucunskit, mbetet i qartë për të krijuar kushte më të mira për rritje të qëndrueshme, investime të reja, rritje të konkurrueshmërisë dhe kushte më të mira jetese për të gjitha. 

“Nga sot, BEI do të jetë edhe më afër institucioneve shtetërore, qeverive lokale dhe kompanive maqedonase,  duke u ofruar atyre mbështetje për zbatimin e investimeve dhe projekteve të tyre zhvillimore. Prania më e afërt e BEI-së është një sinjal i qartë se vendi ynë po lëviz drejt një ekonomie moderne, evropiane dhe konkurruese, të hapur ndaj investimeve dhe të orientuar drejt rritjes afatgjatë dhe të qëndrueshme. Faza e re e bashkëpunimit në të cilën po hyjmë sot përkon me qëllimet strategjike të Qeverisë, përshpejtimin e transformimit ekonomik, mbështetjen e tranzicionit të gjelbër, integrimin në hapësirën ekonomike dhe financiare evropiane dhe miratimin e praktikave dhe standardeve të suksesshme evropiane.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski.

Nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert De Grot, tha se tani më do të sigurohen më shumë mjete edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa parashihet edhe ndihmë dhe mbështetje për përpilimin e projekteve të reja. Bashkëpunimi parashihet edhe në fushën e energjetikës, transportit, tranzicionin e  burimeve të ripërtërishme, ndërsa theks i veçantë do t’i kushtohet edhe furnizimit me ujë dhe shërbimeve sanitare, e sidomos trajtimit të ujërave të zeza.

“Kjo njohje formale e statusit të BEI-së në RMV do të na mundësojë të përforcojmë lidhjet, por edhe portofoli jonë të rritet në pajtueshmëri me prioritetet e Qeverisë. Si pjesë e Ekipit të Evropës dhe Planit të ri të Rritjes së KE-së jemi të gatshëm të mbështesim partnerët tanë të Maqedonisë në realizimin e projekteve që do të kenë një ndikim të fortë dhe do të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, lidhshmërinë, një tranzicion të gjelbër, si dhe shërbime të përmirësuara shëndetësore dhe arsimore në dobi të qytetarëve. Jam i bindur se bashkërisht mund të ndërtojmë një të ardhme më të fortë dhe më të mirë dhe të ndihmojmë në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE.”, - theksoi nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Grot.

Banka Evropiane e Investimeve deri më tani ka investuar mbi 1.6 miliardë euro në disa sektore kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, tha  me këtë rast Robert de Grot.

REXHEP QAMILI  



Të ndryshme
Më shumë