TV LIVE
Nga Rajoni
12 November 2025
Rama takohet me ambasadorët e BE-së në Kryeministri

Kreu i qeverisë Edi Rama po zhvillon një takim këtë të mërkurë, më 12 nëntor, në ambientet e Kryeministrisë me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të akredituar në Shqipëri. Në këtë takim merr pjesë edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato.

Motivet e këtij takimi nuk janë bërë publike ende. Megjithatë, gazetarja e Klan News Klesiana Omeri raporton se një nga temat e diskutimit mund të jetë progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian, si dhe thellimi i bashkëpunimit mes vendit tonë dhe institucioneve të Bashkimit Europian.

Kjo duke qenë se ky takim vjen vetëm një javë pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian, për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Pak më herët këtë mëngjes, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim online me 27 ambasadorët shqiptarë të akredituar në 27 vende të Bashkimit Europian. Ministrja thotë se në fokus të këtij takimi ishte një fazë e re koordinimi e bashkëveprimi në funksion të ofensivës diplomatike e kombëtare të Integrimit.

“27 ambasadorët tanë të akredituar në 27 vende të Bashkimit Europian, nisim një fazë të re koordinimi e bashkëveprimi në funksion të ofensivës diplomatike e kombëtare të Integrimit.”, shkruante Spiropali krahas fotove nga ky takim online.

Nesër mbledhje e përbashkët e qeverive Itali-Shqipëri

Ndërkohë po ashtu kujtojmë se ditën e enjte, më 13 nëntor, qeveritë e Shqipërisë dhe Italisë do të takohen për një samit dypalësh, që do të zhvillohet nga ora 09:00 deri në 13:00, në Romë.

Delegacionet do të jenë të përbëra në formatin 1+10, duke përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe deri në 10 ministra, me pjesëmarrje minimale prej 5-6 ministrash, sipas fushave të përbashkëta të bashkëpunimit.

Agjenda e samitit parashikon fillimisht një takim bilateral ndërmjet ministrave sipas sektorëve të tyre, ku do të shqyrtohen projektet dhe bashkëpunimet aktuale.

Pas kësaj, do të zhvillohet një bisedë direkte ‘kokë më kokë’ mes krerëve të dy vendeve, për të diskutuar prioritetet strategjike dhe çështjet më të rëndësishme.

Më pas, kryeministri dhe ministrat e të dy vendeve do të mbajnë një takim të përbashkët, ku do të shqyrtohet zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe identifikimi i projekteve të reja bashkëpunimi në sektorë si energjia, infrastruktura, tregtia dhe turizmi. Delegacionet gjithashtu do të marrin pjesë në një drekë pune, që do të shërbejë si mundësi për diskutime më të thella dhe shkëmbim përvojash.

Një pjesë e rëndësishme e agjendës do të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve të reja, duke formalizuar bashkëpunimet dhe duke krijuar baza për projekte konkrete të përbashkëta.

Samiti pritet të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe të ndihmojë koordinimin e politikave qeveritare në fusha kyçe ekonomike dhe sociale. Ai ofron mundësi për diskutime intensive mbi investimet, zhvillimin e turizmit dhe projekte të përbashkëta infrastrukturore.



Të ndryshme
Më shumë