TV LIVE
Nga Rajoni
12 November 2025
Hill vijon dëshminë pro Thaçit, ish-diplomati amerikan tregon marrëdhëniet me ish-krerët e UÇK-së

Për të tretën ditë me radhë, ish-diplomati amerikan Christopher Hill vazhdon dëshminë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë. Ndërsa u pyet se kush ishte përgjegjës për UÇK-në, Hill u shpreh se amerikanët nuk gjenin dot një pikë kontakti të konfirmuar për të folur për të ardhmen.

“Sipas meje dhe në cilësinë time si i deleguar i posaçëm, unë e kisha të qartë dhe të tjerët ma kishin bërë të qartë se ne nuk e dinim se kush fliste për UÇK-në. Për shembull, zoti Demaçi fliste për rolin që ai kishte në UÇK, por askush nuk ma konfirmoi. Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilin mund të komunikonim për të ardhmen.”

Hill tha se nuk e dinte se kush i lëshonte komunikatat e UÇK-së, ku përmendeshin edhe emra të udhëheqësve. Sipas tij, çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Ish-diplomati amerikan nënvizoi se shqiptarët e donin Kosovën Republikë, si shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.

“Personat shpreheshin dhe thonin se unë e mbështes që Kosova do të jetë Republikë. Pra, si të gjitha republikat e tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Kur thoshin ‘Republikë’, e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.”

Kur u pyet për Drejtorinë Politike të UÇK-së, ai tha se kishte mësuar që Thaçi ishte pjesë e këtij organi.

“Kishte shumë persona që nuk ishin në Qeveri apo në agjenci të tjera amerikane, që përpiqeshin të mësonin se kush e udhëhiqte UÇK-në. Kur dilnin emra të rinj, ne interesoheshim. Një prej këtyre emrave ishte drejtoria publike. Por, ne duhej ta komunikonim këtë person.”

Por Hill theksoi se nuk kishte dëgjuar që Drejtoria Politike të ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së apo që kishte rol drejtues.

“Supozimi ynë ishte që Shtabi i Përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej nga komandantë lokalë që ishin bashkuar në një moment, ndërsa Drejtoria Politike ishte më shumë organi që merrej me botën e jashtme.”

Përveç Thaçit, gjyqi në Hagë po mbahet edhe kundër Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998-1999, kur ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

/vizionplus.tv



Të ndryshme
Më shumë