TV LIVE
Nga Vendi
9 November 2025
DEKLARATË PUBLIKE NGA KËSHILLI ORGANIZATIV I MËRGATËS KËRCOVARE

alënderime të veçanta

Në emër të Këshillit Organizativ të Mërgatës Kërçovare, shprehim mirënjohjen dhe respektin më të lartë për të gjithë mërgimtarët tanë, kudo që ndodhen në botë. Ju, me mundin, angazhimin dhe sakrificën tuaj, keni dëshmuar edhe një herë se uniteti, dinjiteti dhe dashuria për vendlindjen janë vlera të përjetshme kërçovare.

Ju falënderojmë për mobilizimin e jashtëzakonshëm, për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor, për kontributet financiare e morale dhe për besimin që na dhatë në emër të së mirës së përbashkët. Ky bashkim është frymëzim se Kërçova jeton në zemrat tona dhe se një ditë do të jemi edhe më shumë dhe do ta kthejmë Kërçovën të frymojë shqip.

Angazhimi ynë

Çdo bashkëqytetar dhe mërgimtar shqiptar duhet ta dijë se angazhimi ynë ka qenë dhe mbetet vullnetar, i pastër dhe pa ndikim politik. Ne kemi vepruar pa asnjë mbështetje financiare nga ndonjë subjekt politik, pa interes financiar, por vetëm me dashuri të pakushtëzuar për Kërçovën tonë dhe për identitetin tonë shqiptar.

Të gjitha aktivitetet tona janë zhvilluar me organizim dhe financim të mbrendshëm, me sponsorizime të sinqerta nga bashkatdhetarët tanë në mërgatë dhe mbi të gjitha me përkushtim të palodhshëm për të ruajtur Kërçovën. Ne, mërgimtarët kërçovarë, jemi ata që kemi sakrifikuar, kontribuar dhe që më së paku kemi nevojë për përfitime materiale apo mbështetje politike.

Propaganda të tilla mund të bëjnë vetëm ata që mendojnë se kombi është para ose interesit personal. Ne nuk e shesim Kërçovën për asnjë çmim, sepse dashuria për vendlindjen nuk blihet dhe nuk shitet. Dhe të njëjtin kontribut do ta jepnim edhe për çdo kandidat shqiptar kundër një jo-shqiptari.

Ne nuk kemi qenë kurrë të njëanshëm dhe as nuk do të jemi. Qëllimi ynë është vetëm një: Kërçova të mos humbasë identitetin e saj kërçovar dhe e ardhmja jonë të ndërtohet mbi dinjitet, drejtësi dhe përbashkim, jo mbi tradhti, lojëra politike apo interesa personale.

Qëndrimi ynë publik

Ne nuk dënojmë popullin dhe as nxisim përçarje apo vëllavrasje e as thirrje për bojkot. Ne e dimë se ai vend mbahet nga remitancat tona dhe nuk do të dënojmë vëllezërit tanë të drejtë për fajet e disa personave që e bënë të gjithën për përfitime personale. Nuk do t’i bëjmë qejfin armikut të nxisim vëllavrasje apo urrejtje.

Ne apelojmë për gjakftohtësi dhe bashkëjetesë, e llogarinë e kërkojmë nga përgjegjësit e vërtetë. Ne do të mundohemi të gjejmë mënyrën që kurrë më të mos tradhtohemi. Sepse bashkimi, nderi dhe Kërçova janë të shenjta.

Askush mos mendojë se do t’u shmanget pasojave të veprimeve të tyre: të manipulojë, të nxisë përçarje, të tradhtojë dhe të shpëtojë pa llogari.

Ne jemi në koordinim edhe me koordinatorët e shteteve të diasporës dhe kemi filluar të punojmë për të krijuar një organ të bashkuar të mërgatës kërçovare, që do të përfaqësojë me dinjitet çdo mërgimtar, pa ndarje politike e pa ndikime të jashtme. Prandaj kjo deklaratë lëshohet në emër të të gjithë këshillave organizative në diasporë.

Dhe përmes kësaj, do të kërkojmë që çdo kandidat shqiptar pretendent në garë për kryetar komune në Kërçovë në zgjedhjet e ardhshme e që kërkon votat tona, të kalojë në nje proces transparent sondazhi, i cili do të mbahet në mërgim. Përndryshe, nuk do ta ketë mbështetjen tonë.

Mërgimtarët kërçovarë nuk janë mjet për lojëra politike. Nuk do të lejojmë më manipulime të mërgimtarëve, hakmarrje apo përçarje për interesa personale apo partiake.

Asnjë shoqatë, asnjë djersë mërgimtari nuk duhet të keqpërdoret. Shfrytëzimi ynë për pazare politike nuk mund të arsyetohet dhe kushdo që ka kontribuar në këto padrejtësi duhet të tërhiqet vetë nga jeta publike; përndryshe do të jemi të detyruar t’i përmendim me emra, të marrim hapa bojkoti, ta shpallim të padëshiruar mes mërgimtarëve dhe të paguajë çmimin e mëkateve të tij ndaj shoqërisë.

Kërkesat tona

Andaj, në emër të atyre mijëra mërgimtarëve:

Kërkojmë nga koalicioni AKI ose më vonë BDI-së të largojë nga radhët e saj ata persona që kanë vepruar kundër interesit të Kërçovës dhe çështjes sonë kombëtare në këto zgjedhje. ( uk kërkojmë llogari kontributi sepse kandidati ishte i tyre )

Kërkojmë nga koalicioni VLEN, Fatmir Beqir Limani dhe nga kandidati i pavarur Shkodran Alili të japin deklaratë se cili ka qenë roli dhe kontributi i tyre në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve.

Këto nuk janë kërkesa politike, por mërgata meriton t’ju jepni një llogari.

Kërkesa në mërgim:

Nuk ka bashkim nëse gjykojmë njëri-tjetrin, bashkimi arrihet vetëm duke pranuar vetë çdo kush çfarë roli dhe kontributi ka dhënë.

Andaj, kërkojmë:

Shoqatës Kulturore të Kërçovës t'i ftojë dy kundërkandidatët e tjerë, Fatmir Beqir Limanin dhe kandidatin e pavarur Shkodran Alilin, t’u kërkojë llogari se përse nuk e mbajtën fjalën e dhënë në ambientet e tyre.

Kërkojmë në mërgim nga shoqatat kulturore, humanitare, fondet, xhamitë, udhëheqësit, mediat, afaristët, portalet, individët publikë apo grupimet e ndryshme të japin vetë deklaratë se cili ka qenë qëndrimi, roli dhe kontributi i tyre në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve.

Nuk i kërkojmë askujt llogari për bindje politike apo qëndrime në raundin e pare, kërkojmë kontributin e tyre dhe qëndrimin që qyteti t’u ngelet shqiptarëve.

Nëse çdo kush bën me gisht nga tjetri dhe nuk jep llogari për veten, do të jemi të detyruar ta shpallim të padëshiruar dhe të bëjmë thirrje për bojkot, në emër të djersës së atyre mijra mërgimtarëve.

Nëse u tradhtuam për herë të parë, nuk do të lejojmë të zhgënjehemi dhe të tradhtohemi për herë të dytë.

Kërkojmë përgjegjësi nga të gjithë të lartpërmendurit dhe llogaridhënie. Përndryshe, do të jemi të detyruar të mbyllim derën tonë në mënyrën që dimë më së miri.

Me respekte,

Në emër të Këshillit Organizativ të Mërgatës Kërçovare



Të ndryshme
Më shumë