TV LIVE
Nga Rajoni
8 November 2025
Shqipëria në heshtje zgjedhore, të dielën votohet në 5 komuna

Të dielën, 334 mijë e 539 qytetarë të pesë bashkive të vendit do të votojnë për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë materialet zgjedhore në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Për garantimin e mbarëvajtjes së procesit, Policia e Shtetit ka përgatitur një plan masash. Në këto pesë bashki, ajo ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku ndodhen komisionet e KZAZ-ve, si edhe 473 qendra votimi.

Në total, 612 efektivë policie do të angazhohen për mbrojtjen e objekteve dhe transportin e materialeve zgjedhore.

Policia i bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast që synon të ndikojë apo manipulojë votën e tyre.

Numri i votuesve me të drejtë vote është rreth 172 mijë në Vlorë, mbi 82 mijë në Berat, rreth 39 mijë në Cërrik, 29 mijë në Mat dhe 12.600 në Tepelenë.

Partia Demokratike dhe opozita nuk kanë paraqitur kandidatë nën siglën e tyre, por kanë shpallur mbështetjen për disa kandidatë të pavarur që do të përballen me kandidatët socialistë dhe disa emra të tjerë.

Në Vlorë, kandidatja e PS-së, Brunilda Mersini — e cila hoqi dorë nga mandati i deputetes për të garuar për kryebashkiake — do të përballet me Dionis Sotën, i mbështetur nga PD, dhe Gjergj Nikën, anëtar i Këshillit Bashkiak nën siglën e Partisë Demokratike.

Në Berat, kandidati socialist është Ervin Ceca, ndërsa përballë tij do të jetë Pavlo Shkarpa.

Në Mat do të zhvillohet një garë treshe mes kandidatit të PS-së, Altin Bojni, ish-kryetares së Gruas Socialiste lokale, Suzana Pasha, që kandidon si e pavarur, dhe Eduart Brahilikës, kandidatit të pavarur të mbështetur nga opozita.

Në Cërrik, kandidati socialist Florenc Doka do të ketë përballë Amarildo Hoxhën, të pavarur dhe të mbështetur nga PD-ja e Berishës, si dhe Eligert Himën nga partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.

Në Tepelenë, PS garon me Gramoz Sakon, ndërsa opozita ka shpallur mbështetjen për të pavarurin Gabriel Guma.

Kryebashkiakët që do të zgjidhen në këto zgjedhje do të kenë një mandat të shkurtuar, vetëm një vit e gjysmë, deri në zgjedhjet lokale të pranverës së vitit 2027.



Të ndryshme
Më shumë