TV LIVE
Nga Vendi
6 November 2025
Nënshkruhet marrëveshja për tunelin hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8 mes RMV dhe Bullgarisë

Ministrat e Transportit të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nënshkruan Marrëveshje për tunelin hekurudhor ndërkufitar në stacionin hekurudhor të Gjueshevës.

Ministri i Transportit në RMV Aleknsadar Nikolloski e cilësoi marrëveshjen si “një ëndërr të gjeneratave në të dyja anët e kufirit”, duke theksuar rëndësinë e lidhjes hekurudhore mes Shkupit dhe Sofjes.

“Kjo është diçka për të cilën kemi lexuar dhe kemi dëgjuar që në fëmijëri – se dy kryeqytetet duhet të lidhen me hekurudhë,” theksoi Nikolloski.

Ndërkaq, ministri bullgar Grozdan Karaxhov u shpreh se kjo ditë është “jashtëzakonisht e rëndësishme” pasi përfaqëson përmbushjen e një ëndrre shumëvjeçare.

“Po hapim dhe po rinovojmë një hekurudhë më shumë se 100-vjeçare. Ishte nder që këtë projekt ta realizonim bashkë me Nikollovskin,” tha ai, duke mbërritur në vendngjarje me tren nga Qustendilli.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, NATO-s, SHBA-së, Bankës Evropiane Investuese, BERZH-it dhe Bankës Botërore, si dhe ambasadorja amerikane Angela Ageler. Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në KE, Valentina Superti, e vlerësoi marrëveshjen si shumë të rëndësishme për të dy shtetet dhe për të gjithë rajonin, duke shtuar se BE-ja do të sigurojë fonde për implementimin e projektit.

Tuneli, me gjatësi të projektuar prej 2.4 kilometrash, do të shtrihet 1.189 metra në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe 1.193 metra në territorin e Bullgarisë. Ky projekt do të sigurojë një lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, pjesë kyçe e Korridorit 8, që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi.

Sipas vlerësimeve, ndërtimi i Korridorit 8 do të rrisë transportin e mallrave me mbi 30 për qind, ndërsa qarkullimin e pasagjerëve me 20–25 për qind në vitet e para pas përfundimit. Projekti konsiderohet edhe si korridor strategjik i NATO-s.

Aktualisht ka përfunduar ndërtimi i seksionit Kumanovë – Beljakovcë (30.8 km, 40.5 milionë euro), ndërsa në fazë pune është segmenti Beljakovcë – Kriva Pallankë (34 km, 155 milionë euro), me progres 35 për qind dhe afat përfundimi deri në fund të vitit 2026. Në muajin e ardhshëm pritet të shpallet thirrja për kontraktorin e seksionit të tretë Kriva Pallankë – kufiri me Bullgarinë, i cili përfshin tunelin ndërkufitar dhe 52 ura, me gjatësi totale 23.4 kilometra — sfida më e madhe e projektit.



Të ndryshme
Më shumë