TV LIVE
Nga Vendi
3 November 2025
VMRO DPMNE fitoi 55 komuna bashkë me Qytetin e Shkupit, VLEN 9, LSDM 6 dhe AKI 4

Struga do të udhëhiqet nga kandidati i pavarur, Mendi Qyra, Kumanova nga ZNAM me Maksim Dimitrievskin dhe Shuto Orizari nga Kurto Dudush i Bashkimit të Romëve. Të tre fituan në raundin e dytë, pasi në raundin e parë nuk e kapërcyen pragun prej 50 për qind plus një votë, përcjell Nistori.

Me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura dje, vendi përfundoi zgjedhjen e kryetarëve të komunave në 76 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Votimi u zhvillua në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Sipas rezultateve fillestare jozyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KShZ), nga 100 për qind e vendvotimeve të përpunuara, VMRO DPMNE dhe koalicioni i saj fituan numrin më të madh të kryetarëve të komunave.

Konkretisht, kandidatët e VMRO DPMNE-së fituan në 21 komuna. Në vend të dytë për nga numri i fitoreve në raundin e dytë është koalicioni VLEN, me katër komuna. Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) fitoi tre komuna, ndërsa koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim, e udhëhequr nga BDI, fitoi një komunë. Në Strugë fitoi kandidati i pavarur Mendi Qyra, i cili para raundit të dytë mori mbështetjen e VLEN-it.

Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë Tonë dhe Bashkimi i Romëve fituan nga një kryetar komune në raundin e dytë.

Në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë – nuk u mbajt votimi, për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme në raundin e parë. Aty do të zhvillohet procedurë e re zgjedhore brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale 2025.

VMRO-DPMNE, sipas rezultateve të para të KShZ-së, fitoi kryetarë komunash në: Aerodrom, Bërvenicë, Vallandovë, Vinicë, Debarcë, Demir Kapi, Dojran, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçan, Krushevë, Llozovë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Rankovcë, Rosoman, Çeshinovë Obleshevë dhe Çuçer-Sandevë.

Partneri i tyre, koalicioni VLEN, fitoi në Bogovinë, Dibër dhe Dollnen.

Kandidatët e LSDM-së fituan në Zërnovcë, Makedonska Kamenicë dhe në Komunën Qendër të Shkupit.

Koalicioni AKI fitoi Studeniçanin, ndërsa kandidati i Bashkimit të Romëve do të udhëheqë Komunën e Shuto Orizares në kuadër të Qytetit të Shkupit.

Në Kumanovë, pas një gare të ngushtë, lideri i ZNAM, Maksim Dimitrievski, u zgjodh për të tretin mandat radhazi si kryetar komune.

Pamja e përgjithshme e raundit të parë

VMRO DPMNE siguroi shumicën e fitoreve që në raundin e parë. Partia do të drejtojë 54 komuna, si dhe Qytetin e Shkupit, ku Orce Gjorgjievski mundi kandidatin e majtë, Amar Mecinovic.

Në Staro Nagoriçane, fitorja e VMRO DPMNE-së ishte e diskutueshme, pasi kandidati ishte në prag të 50 për qind plus një votë, por sipas rezultateve zyrtare, ai siguroi mandatin pas numërimit të parë.

VLEN fitoi pesë komuna në raundin e parë dhe me katër të fituara dje, arrin në nëntë gjithsej.

LSDM, me tre fitore në raundin e parë dhe tre në të dytin, do të drejtojë gjashtë komuna.

Koalicioni i udhëhequr nga BDI, Aleanca Kombëtare për Integrim, fitoi tre komuna në raundin e parë dhe me Studeniçanin arrin në katër.

Struga do të drejtohet nga Mendi Qyra, Kumanova nga Maksim Dimitrievski i ZNAM-it dhe Shuto Orizare nga Kurto Dudush i Bashkimit të Romëve, të cilët fituan në raundin e dytë, pasi nuk arritën të kalonin pragun prej 50 për qind plus një votë në të parin. /Nistori/



Të ndryshme
Më shumë