 
                 
              
          
     
                Procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë po hyn në një fazë të re, me dëshmi të rëndësishme që pritet të jepen gjatë muajit nëntor.
Sipas zhvillimeve të fundit, ish-ambasadori amerikan Christopher Hill do të jetë i pari që do të paraqitet në gjykatë në fillim të muajit, ndërsa pas tij pritet të dëshmojë gjenerali amerikan Wesley Clark, më 18 nëntor.
Këto ndryshime në kalendarin e seancave kanë ardhur pas disa javësh të paqarta në proces, pasi më 18, 24, 29 dhe 30 shtator, seancat nuk janë zhvilluar sipas planifikimit disa janë mbyllur më herët, e në të tjera, mbrojtja nuk ka thirrur dëshmitarë rezervë.
Trupi Gjykues ka reaguar duke ngushtuar afatet për ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit që të dorëzojnë provat e tyre, një vendim që ka ngjallur pakënaqësi në radhët e avokatëve. Ata po pretendojnë se gjykata po përdor standarde të dyfishta, pasi Prokuroria e ka zgjatur procesin për më shumë se katër vjet pa pasoja.
Ndërkohë, avokati Luka Misetiq ka dorëzuar një njoftim të ri për zhvillimet e fundit në proces. Për shkak të pritjes së dëshmive nga zyrtarët amerikanë, mbrojtja ka vendosur të mos realizojë dëshmi përmes video-lidhjeve, ndonëse kjo ishte propozuar nga kryegjyqtari Charles Smith.
Ndryshimet e fundit kanë bërë që James Rubin, i cili nuk ishte paraparë si dëshmitari i parë, të marrë këtë rol pas shtyrjes së diplomatëve të tjerë për arsye logjistike.
 
             
