Donald Trump dhe Xi Jinping gjetën më në fund, në takimin e Seulit, gjuhën e përbashkët për një marrëveshje tregtare që do të lehtësojë gjithë tregtinë globale dhe zgjidhjen e shumë konflikteve nëpër botë.
Gjatë kthimit në Uashington, shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi reduktimin e menjëhershëm me 10% të tarifave të importeve nga Kina, duke i ulur ato në 47%.
“Sasi të mëdha soje dhe prodhimesh të tjera bujqësore do të nisin të blihen menjëherë nga Kina. Fermerët tanë do të jenë shumë të lumtur. Për fentanilin që ka shkaktuar shumë vdekje në SHBA, ramë dakord që së bashku me Kinën t’i japim fund krizës. Biseduam edhe për heqjen e pengesave për mineralet e rralla.”
Ndihma që Xi Jinping mund të japë për të bindur Vladimir Putinin për fundin e luftës në Ukrainë ishte pjesë e bisedimeve.
“Ai do të na ndihmojë të punojmë së bashku për Ukrainën. Ai ka shumë më tepër në dorë për të na ndihmuar.”
Trump tha se do të takohet me Jinpingun në Pekin në prill dhe më pas presidenti kinez do të shkojë në Uashington ose Florida.