 
                 
              
          
     
                Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në qarkun e Lezhës, ku janë lëshuar 10 urdhër-arreste në kuadër të një hetimi për tjetërsim pronash dhe ndërtime pa leje. Burime bëjnë me dije se mes personave të përfshirë në këtë çështje janë edhe zyrtarë publikë dhe efektivë të policisë, ndaj të cilëve Prokuroria e Lezhës ka lëshuar urdhra arresti me vendim të gjykatës.
Një pjesë e masave të sigurisë janë ekzekutuar tashmë nga uniformat blu, ndërsa operacioni vijon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim. Hetimet lidhen kryesisht me prona dhe ndërtime pa leje në zonat bregdetare të Patokut dhe Shëngjinit, ku dyshohet se janë kryer manipulime dokumentesh dhe favorizime në regjistrimet hipotekore.
Sipas informacioneve paraprake, ndër të arrestuarit dyshohet se ka zyrtarë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Lezhë. Hetimi është drejtuar prej disa kohësh nga prokurorja Iva Harka, ndërsa autoritetet ende nuk kanë bërë publike emrat e personave të përfshirë, për shkak të vijimit të procedurave hetimore.
 
             
