TV LIVE
Nga Vendi
28 October 2025
Kasami: Tetova po transformohet – punët e mira do të vazhdojnë me kapitullin e dytë të zhvillimit

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kandidati i koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka deklaruar se përkrahja e madhe që mori më 19 tetor është dëshmi se qytetarët e Tetovës e vlerësojnë punën e bërë dhe dëshirojnë vazhdimin e zhvillimit.

“Përkrahja e madhe që morëm më 19 tetor e dëshmoi se Tetova është në rrugë të drejtë, Tetova po ndryshon, po transformohet dhe po zhvillohet. Tetova dëshmoi se e vlerëson punën dhe dëshiron që ky zhvillim të vazhdojë edhe më fuqishëm,” deklaroi Kasami, përcjell PressOnline.al

Ai theksoi se ky vlerësim nga qytetarët do të kthehet me më shumë punë dhe projekte konkrete për qytetin.

“Sot jemi në Rrugën e Potokut, ku bashkë me rrugën 134 dhe Prohorpçinski u asfaltuan tërësisht dhe sipas standardeve bashkëkohore. Ndërtuam rrugë të re moderne në gjatësi gati një kilometër, asfaltim i rrugës diku mbi 5.000 m2. Me investim gati 200 mijë euro apo rreth 12 milionë denarë e transformuam këtë lagje pranë çerdhes së Potokut, duke i dhënë pamje evropiane,” shtoi ai.

Kasami theksoi se Tetova e meriton këtë transformim dhe se do të vazhdojnë projektet për ta bërë qytetin më modern dhe më të jetueshëm.

“Tetova meriton rrugë moderne, shkolla, çerdhe, pishina dhe të gjitha kushtet për një qytet funksional, të pastër dhe modern. Punët e mira për Tetovën duhet të vazhdojnë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm me Kapitullin e Dytë të zhvillimit,” përfundoi Kasami.

 



Të ndryshme
Më shumë