TV LIVE
Kuriozitete
18 October 2025
Muzeu “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës” një dëshmi e gjallë e historisë

Muzeu, “Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” në Shkodër po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga turistë vendas dhe të huaj. Vizitorët shprehen se ndihen të prekur nga historia e paraqitur në këtë muze, i cili ruan kujtimet e një periudhe të errët të komunizmit në Shqipëri.

“Jam nga Gjermania, nga një qytet i vogël pranë Berlinit. Kjo është hera jonë e parë që vizitojmë Shqipërinë, dhe ajo që më intereson më shumë është historia e këtij vendi . Kjo është arsyeja pse erdha në këtë muze. Sigurisht, peizazhet dhe natyra janë shumë të bukura, por këtu në muze kam zbuluar shumë gjëra për të kaluarën e Shqipërisë”, tha një prej vizitorëve.

“E gjej jashtëzakonisht interesante mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet gjatë 2000 viteve të fundit, dhe veçanërisht ndryshimet që kanë ndodhur gjatë 100 viteve të fundit. Është vërtet mbresëlënëse”, deklaroi për mikrofonin e RTSH një tjetër vizitor.

“Vlerësoj shumë shpjegimet mbi historinë e vendit, dhe ne kemi shumë respekt për drejtimin që ka marrë Shqipëria sot. Është një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar. Atmosfera autentike dhe dëshmitë e ish-të përndjekurve politikë e bëjnë këtë vend një pikë të rëndësishme reflektimi dhe njohjeje me të kaluarën”, tha vizitori teksa po vizitonte muzeun.

Në guidën turistike të qytetit të Shkodrës, përveç Muzeut Historik, Kalasë “Rozafa” apo Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, përfshihet edhe Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës. I hapur në mjediset e ish degës së punëve të brendshme të periudhës komuniste, ky muze, është unikal në Shqipëri.



Të ndryshme
Më shumë