Kur sheh këto foto, përpiqesh të kuptosh shumë më shumë, se sa gra që mbajnë në kurriz një djep më fëmijën e saj në të. Përpiqesh, që duke u kthyer pas në kohë, të kuptosh se kjo sipërmarrje nuk ishte fort e lehtë, madje ishte vetë kuptimi që ajo i jepte jetës, një grua, një nënë, një vetëmohuese e denjë për çdo shpërblim e mirënjohje, për devocionin dhe përkushtimin e saj.
Ishte sakrifica që ajo bënte, ishte mundi dhe vuajtja që ajo duhet të sfidonte për të dëshmuar, se nuk kishte ardhur në jetë si një e përçmuar nga kodet zakonore dhe linçimi patriarkal, por si një misionare e jetës dhe e trashëgimisë së brezave. Sepse fëmija ishte ngjizur dhe rritur në trupin e saj, ushqyer dhe paqtuar në kraharorin e saj të shembur nga mijëra dhimbje që s'mund të kishin zë.
Veç peshës, asaj i duhej të mbante në shpinë barrën e përgjegjësisë së një gruaje, të një nëne, së cilës kudo që i duhej të shkonte, fëmijën duhet ta merrte me vete me patjetër, e mundur ose jo të ishte, shëndosh apo e sëmurë.
Për fëmijën nëna ishte gjithçka; streha, kujdesi, ushqyerja, siguria; në dimër dhe në verë, në borë e në shi, në erë e tufan, në arë për të punuar tokën, në mal për të bartur dushk, në kullot më bagëtitë, për shyqyr e për vaki, te ilakaja e në gjini; fëmija, askund nuk mund të ishte veçse me të, pranë saj, nuk mund dhe nuk kishte si të shqitej prej saj, si një gjymtyrë.
Vetë jeta e fëmijës ishte në duart dhe prehrin e saj, sepse nëna ishte nënë në kuptimin e themeltë të ligjësisë së ekzistencës.
Të ishe nënë në kohën e fotografisë, ishte vetë shenjtërimi i misionares me blatimin e vetes këtij altari ku ajo ngjiste shpirtin në besim.