Papa Leo XIV u takua me Presidentin italian Sergio Mattarella, që shënon edhe vizitën e tij të parë shtetërore të papatit jashtë territorit të Vatikanit. Në këtë takim, Papa dhe Matarella folën për shqetësime të përbashkëta, duke përfshirë luftën, migrimin, ekologjinë dhe rënien e lindshmërisë në Itali.
“Në një klimë respekti të përzemërt, Kisha Katolike dhe shteti italian bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët, në shërbim të personit njerëzor, dinjiteti i paprekshëm i të cilit duhet të mbetet gjithmonë në ballë të vendimmarrjes dhe veprimit në të gjitha nivelet e zhvillimit shoqëror, veçanërisht në mbrojtjen e më të brishtëve dhe atyre në nevojë”,-tha Papa.
Takimi u zhvillua në Pallatin Quirinal, një ish-rezidencë papnore që ka qenë shtëpia e mbretërve dhe presidentëve italianë që nga viti 1870.
Papa Leo filloi udhëtimin e tij duke u përshëndetur nga zyrtarë të qeverisë italiane jashtë Sheshit të Shën Pjetrit dhe më pas u shoqërua në një autokolonë nga ushtria italiane. Kalorësia italiane, e hipur mbi kuaj, e çoi makinën e Papës në oborrin e pallatit.
Pas një takimi privat me Mattarellën, Papa dhe presidenti shkëmbyen fjalime në Dhomën e Pasqyrave, të cilën mbretërit italianë dikur e përdornin si sallë vallëzimi.
Papa Leo gjithashtu i nxiti italianët të mbështesin dhe mbrojnë jetën në të gjitha fazat e saj, nga ngjizja deri në pleqëri, deri në momentin e vdekjes./CNA